Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett ka thënë se vendosja e përbashkët e FSK me ushtrinë amerikane në Kuvajt, është demonstrim i gatishmërisë së Kosovës për të përqafuar përgjegjësitë përtej kufijve të saj që kontribuon në sigurinë rajonale dhe globale.
Përmes një shkrimi në Twitter, Kosnett u shpreh se ky bashkëpunim dëshmon gatishmërinë e Kosovës për të mbrojtur jo vetëm territorin e saj, por edhe për përgjegjësi jashtë Kosovës.
“Vendosja e përbashkët e FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane në Kuvajt është një moment historik i vërtetë – jo vetëm për mbrojtjen e vetë Kosovës, por edhe si një demonstrim i gatishmërisë së Kosovës për të përqafuar përgjegjësitë përtej kufijve të saj që kontribuojnë në sigurinë rajonale dhe globale”, shkroi Kosnett.
Edhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka reaguar pasi ushtarët e FSK-së zbarkuan në Kuvajt me ushtrinë amerikane.
Përmes një shkrimi në Twitter, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes thekson se partnerët e Kosovës do të fitojnë përvojë të mekanikës dhe logjistikës duke punuar me ushtrinë amerikane.
“Departamenti i Mbrojtjes është krenar që iu bashkuam FSK-në nga Kosova në bashkëpunimin e saj të parë në Kuvajt. Gjatë këtij misioni, partnerët nga Kosova do të fitojnë përvojë reale në mekanikë dhe logjistikë duke punuar me ushtrinë amerikane. Më të fortë së bashku”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.