Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar për shkak të katastrofës me zjarret në Hawaii që rrafshuan qytetin historik të Lahaina, duke shënuar zjarrin më vdekjeprurës në SHBA për më shumë se një shekull.
Osmani shkroi në rrjete sociale se është zemërthyese të shohësh shkatërrimet ndërsa shprehu solidaritetin e popullit të Kosovës duke i uruar shërim të shpejtë edhe të lënduarve.
“Është zemërthyese të shohësh shkatërrimet që po ndodhin nga zjarret mbi popullin e Hawaiit. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe miqtë tanë amerikanë gjatë këtyre kohërave të vështira. Zemrat tona janë me familjet e viktimave dhe i urojmë shërim të shpejtë të lënduarve”, shkroi Osmani.
Deri më tani 89 persona janë konfirmuar si viktima në zjarrin Maui. Numri i viktimave mund të rritet “dukshëm”, paralajmëroi guvernatori i Hawait, Josh Green.
Qindra mbesin të pagjetur ndërsa qindra të tjerë strehohen përtej ishullit pasi u larguan nga flakët.
Ndërsa zjarret tani janë kryesisht nën kontroll, përpjekjet për shuarjen e plotë të tyre po vazhdojnë në pjesë të ishullit.