Periudha e pushimit vjetor punonjësve të fabrikës „Amo“ në Klinë u ngjallë pasiguri dhe atë jo vetëm nëse do t’u lejohet apo jo shfrytëzimi i pushimit, por ndjehen të pa sigurt edhe për vendin e tyre të punës. Kështu të paktën i ka thënë Periskopit një punonjës i kësaj fabrike. i cili i ka shkruar redaksisë për shqetësimin që po përjetojnë këta punëtorë.
Ai ka akuzuar fabrikën se në vazhdimësi se ka shkelur Ligjin e Punës.
Së fundmi ai ka përmendur rastin kur punëtorët e kësaj fabrike kanë nisur shfrytëzimin e ditëve të pushimit vjetor (2 javor), por se nuk u është lejuar që t’i shfrytëzojnë ditët, aq sa u takojnë me ligj.
Ai ka thënë se kanë marrë edhe kërcënime përmes telefonit, se nëse nuk e ndërpresin pushimin, do t’i sanksionojnë me pagë, ose edhe do t’i largojnë nga puna.
„Tash së fundmi çështja e pushimit vjetor, ku sot me datë 10.08.2023 na telefonojnë nga Amo-food dhe njoftohemi që nesër duhet të dalim në punë, vetëm pas një jave (7 ditë pushim vjetor). E gjitha kjo nën kërcënimin se duhet të dalim në punë dhe mund të penalizohemi në pagë, ose mund të na e shkëpusin kontratën e punës“, ka thënë ky punonjës në kushte anonimiteti.
Ai ka pretenduar edhe një sërë shkeljesh të tjera të Ligji të Punës nga ana e pronarit të fabrikës,
Ka përmendur një rast ku sipas tij, një punëtor i kësaj fabrike është larguar nga puna vetëm pse pronari e kishte parë duke qeshur përmes kamerave të sigurisë. Ai pretendon se punëtorëve të kësaj fabrike u mohohen edhe pushimet e martesës, ato të lehonisë, e edhe ato mjekësore.
„Ka raste kur janë largu puntor nga puna vetem pse e ka pa shefi duke qesh në kamerë . Mos të flasim për pushime të martesës , të lehonisë ose mjeksor që as nuk guxojmë t‘i kërkojmë“, pretendon ai.
Ai ka përmendur edhe raste kur janë sanksionuar me para nga menaxhmenti, kur ndonjë punëtor ka refuzuar që punojë të dielave.
“Ka raste kur nuk kemi pranu me punu ditën e diel dhe jemi sanksionu me nejt në shtëpi 1 javë pa pagesë”, ka thënë ai.
Në lidhje me këto pretendime, Periskopi ka kontaktuar me drejtorin e fabrikës „Amo“, Bujar Morina, i cili ka mohuar se punëtorëve të fabrikës që ai drejton u mohohet e drejta e pushimit vjeor.
Morina ka thënë se për shkak të natyrës së biznesit që merret me prodhim, atëherë punëtorët shkojnë në pushim kolektiv (të gjithë përnjëherë). Kjo për faktin se siç shpjegoi Morina, për të kryer prodhimin, është e nevojshme që të gjithë punëtorët të jenë prezentë. Ai pranoi se mënyra e dhënies së pushimit është „e imponuar“, por se numri i ditëve të shfrytëzuara për pushim nuk i është mohuar asnjë punëtori.
Morina shtoi se në rastin në fjalë, punëtorët i kanë shfrytëzuar 10 ditë pushim, ndërsa pjesën e mbetur mund ta marrin kurdo që atyre u nevojitet.
„Fabrika jonë është fabrikë që prodhon në procesin e prodhimit duhet me qenë të gjithë punëtorët ose asnjë, Ashtu sikurse e aplikojnë të gjitha vendet e dynjasë e aplikojmë edhe ne. Ata kanë qenë në pushim kolektiv nga data 1 deri në ditën e sotme, pjesën tjetër të pushimit që ju takon me ligj, e shfrytëzojnë kur ata të kenë nevojë e marrin pushimin. Ditën kur ua ka dhënë pushimin kolektiv, ata me shku në pushim 10 ditë, fabrika ka qenë pa punëtorë qe 10 ditë nëse dikush më thotë që më kanë thirr mu, ose ndërroje pushimin, ato janë llafe të kota“, ka thënë Morina për Periskopin.
Morina ka mohuar edhe pretendimet se i kanë angazhuar punëtorët me punë të dielave, derisa shtoi se në rast të orëve shtesë, kompania ua kompenson me para.
Inspektorati i Punës, hesht?
Punonjësi i fabrikës “Amo” i ka thënë Periskopit se lidhur me shqetësimet e tyre i kanë drejtuar disa herë Inspektoratit të Punës, por se i njëjti nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me këtë rast.
Ai thotë se vetëm para tre vjetesh kanë pasur vizitë nga Inspektorati dhe se të njëjtit nuk janë parë më asnjëherë aty.
Gjatë asaj vizite thotë ai, Inspektorati kishte evidentuar shkelje sa i përket pushimit vjetor por se nuk është ndërmarrë asnjë hap.
Punëtori i ka bërë thirrje Inspektoratit të Punës që ta vizitojë sa më shpejtë fabrikën, ku sipas tij do të evidentohen shkeljet që po bëhen aty.
Çka thotë Ligji i Punës për Pushimin Vjetor?
Në bazë të Ligjit të Punës, neni 32 i këtij ligji trajton specifikisht çështjen e pushimit vjetor ku thuhet:
“I punësuari gjatë çdo viti kalendarik ka të drejtë për pushim vjetor të paguar në një kohëzgjatje prej së paku katër (4) javë, pavarësisht a punon me orar të plotë apo të shkurtuar”.
Ndërsa neni 37 i këtij ligji thotë se caktimi i orarit të pushimit duhet të bëhët me marrëveshje në mes punëdhënsit dhe punëmarrësit.
Industria Ushqimore “AMO” është themeluar në vitin 2008, me adresë të veprimtarisë se saj qe ndodhet në “Zonën industriale” 32000, në Klinë.
Prodhimet kryesore janë produktet konditorike. Pronar i kësaj fabrike është biznesmeni i njohur Azem Morina.