Për 25 hektarë tokë të cilat pushteti ia dha në shfrytëzim kompanisë “Kosmonte Foods” kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Shtetit.
Kështu kanë bërë të ditur ekskluzivisht disa burime të gazetës Nacionale të afërta me këto zhvillime. Dyshimet janë se në dhënien e 25 hektarëve për këtë kompani për 99 vjet periudhë kohore, ka dyshime për dallavere.
Një burim në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës Nacionale se kompania në fjalë nuk i kishte dërguar disa dokumente që ishte e obliguar lidhur me marrjen në shfrytëzim të këtyre hektarëve. Nacionale kishte raportuar se “Kosmonte Foods” ishte edhe financuese e partisë në pushtet.
Jozyrtarisht Nacionales i është thënë se për marrëveshjen që “Kosmonte Foods” t’i jepen 25 hektarë në shfrytëzim, ka pasur dilema edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari. Mirëpo, sipas burimeve, këtë marrëveshje e kishte shtyrë përpara kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Lajmi për dhënien në shfrytëzim të 25 hektarëve për këtë kompani ishte bërë i ditur afro para gjashtë muajsh. Njoftimin e kishte dhënë zyrtarisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Fjala është për 25 hektarë tokë në zonën kadastrale të Harilaqit, në komunën e Fushë Kosovës.
“Nga ky projekt strategjik parashihet të hapen së paku edhe 300 vende të reja pune. Objekt i kësaj marrëveshjeje është dhënia në shfrytëzim e pronës për 99 vite në zonën kadastrale Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës, e cila do të shfrytëzohet për investime strategjike në asete fizike për grumbullimin, trajtimin, ruajtjen e pemëve dhe perimeve, përpunimin e tyre dhe tregtimin e produkteve bujqësore, si dhe përpunimin e mishit të shpezëve” – theksohej në postimin e Ministrisë.
Në fakt, çështja e 25 hektarëve tokë për “Kosmonte Foods”-in ishte bërë temë edhe më parë. Ishte gazeta Nacionale që raportonte për lidhjet e afërta të kësaj kompanie me pushtetin e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës.
“Historiku i lidhjeve të kësaj kompanie me Vetëvendosjen daton qyshkur kjo e fundit ishte në opozitë – madje raportohej se “Kosmonte Food” ishte përkrahëse financiare e fushatës zgjedhore të Vetëvendosjes” – shkruante Nacionale muaj më parë.
Edhe mënyra se si votuan deputetët për t’ia dhënë titullin e investitorit strategjik, një rekomandim i Komisionit Ndërministror të Qeverisë Kurti, ishte interesante.
Në votimin në Kuvend, u pa qartazi se rekomandimit të këtij komisioni iu afruan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 67 votat në favor të propozimit, shumica ishin vota të deputetëve nga radhët e Vetëvendosjes.
Partitë opozitare kishin ngritur dilema për marrëdhënien e dyshimtë të LVV-së, partia aktualisht më e madhe në Kosovë, dhe kompanisë “Kosmonte Foods”.
Ferat Shala, deputet i PDK-së, kishte deklaruar se procesi për fitimin e statusit “investitor strategjik” të “Kosmonte Foods”-it lidhej me financimin që kjo kompani ia kishte bërë LVV-së.
“Nga tetë anëtarë të Grupit operacional, vetëm katër prej tyre e kanë nënshkruar lëndën në fjalë. Si mund ta procesojë qeveria një lëndë të tillë, që ka mangësi të shumta juridike? Investitori është në kontest gjyqësor. Kjo lëndë për mua më shumë është për prokurori. Kjo lëndë në fjalë duhet të kthehet në qeveri për kompletim, mos me vazhduar kështu. Kjo kompani është financues i VV-së” – tha ai.
Sipas fjalës së deputetit Shala, prona publike e Agjencisë së Pyejeve ishte uzurpuar nga kompania “Kosmonte Foods”.
Akuzave të Shalës i ishte përgjigjur vetë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke i mohuar lidhjet e kompanisë me LVV-në.
“Kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë dhe mundet me qenë financuese e Nismës”- pati thënë Hajdari.
Ndaj këtij pretendimi kishte reaguar Armend Muja, deputet i VV-së, duke ofruar një këshillë e duke i dalë në mbrojtje kompanisë “Kosmonte Foods”.
“Ju kisha lutur mos iu gjuani njerëzve në qafë, meqë ka edhe media këtu. Ju kisha lutur mos me quajtur këtë kompani zaptues” – deklaronte Muja në Komisionin për Ekonomi.
Ndryshe, Kurti, sa ishte kryeministër në vitin 2020, bashkë me ministren Rozeta Hajdari e kishte vizituar objektin e kompanisë “Kosmonte Foods”, ku ishte takuar me pronarin e kompanisë, Lulzim Begaj.
“Ballafaqimi me pandeminë, si për shumë mangësi të tjera, na ka bërë ta kuptojmë mungesën, nevojën dhe rëndësinë e prodhimit vendor. Prodhuesi vendor është shtyllë e rëndësishme ekonomike. Shteti krijohet me prodhime vendore. Si qeveri prioritet i yni është përkrahja për këto ndërmarrje” – deklaronte Kurti.