Deputetja britanike, Alicia Kearns, dhe eurodeputeti ukrainas, Oleksandr Merezhko, kanë nisur një letër të hapur publike për raportin Kosovë-Serbi.
Ata këtë e kanë drejtuar për emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe emisarin e Britanisë së Madhe, Stuart Peach.
Eurodeputeti ukrainas njëherësh edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko, nënshkroi në këtë letër ku thuhet se Kosova është shtet i pavarur, derisa Ukraina akoma nuk e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur.
Në këtë letër thuhet se shkruajnë për shqetësimet që kanë për politikën aktuale të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Aty kërkohet të ketë një rishqyrtim të qasjes se deritanishme ndaj raporteve Prishtinë-Beograd.
“Derisa fokusi ynë duhet të mbetet në normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën euro-atlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, trazirat e fundit kërkojnë që të gjitha palët të ripërqendrohen në de-përshkallëzim dhe parandalim”.
“Bojkoti i zgjedhjeve komunale nga serbët e Kosovës më 23 prill, sulmi i mëvonshëm ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj dhe ndalimi arbitrar i policëve kosovarë nga autoritetet serbe më 14 qershor, të këto gjitha tregojnë për një përkeqësim të shpejtë të situatës, e cila jo vetëm që kërcënon dialogun Prishtinë-Beograd, por edhe vet paqen e rajonit. Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportimet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përtej kufirit Kosovë-Serbi nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimeve të mëtejshme”, thuhet në letër.
Ndër tjera, theksohet se duhet të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.
“Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën për politikën tonë të përbashkët ndaj krizës aktuale. Përpjekjet për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje e jashtme me masa të qarta që ata të mbahen përgjegjës nëse vazhdojnë t’i minojnë zgjedhjet e lira dhe të drejta. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e zgjedhjeve të ardhshme me pjesëmarrje të plotë nga të gjitha komunitetet e pranishme në komunat veriore. Ne duhet të ushtrojmë diplomaci parandaluese nëse kriza aktuale duhet të zgjidhet, dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të japë rezultate pozitive dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të respektohet”.
“Ne kërkojmë që të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë. Kosova është përballur me pasoja të rëndësishme pas përpjekjeve të kryetarëve të komunave për të hyrë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimin. Por mungesa e presionit të ushtruar ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për ta mbajtur përgjegjëse për sulmet ndaj KFOR-it, nxjerr në pah mungesën aktuale të paanshmërisë në adresimin e pikave të tilla”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, shkruhet se qasja aktuale ndaj Serbisë nuk funksionon dhe se ndaj këtij shteti duhet të përdoren masa të reja.
“Ne e shohim sanksionin e fundit nga qeveria amerikane për Aleksandar Vulin, kreut të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA). Qasja aktuale nuk funksionon. Ne do të kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të mos të ndjek një politikë me Beogradin në qendër të Ballkan-it”.
“Gjithashtu kërkojmë që ta keni në konsideratë përdorimin e një politike të diplomacisë që të parandalojë përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe politike në veri të Kosovës, me ekuilibër dhe proporcionalitet që udhëzon çdo deklaratë, çdo ndëshkim apo sanksion të lëshuar dhe se ata që nuk mbështesin sundimin e ligjit dhe demokracinë nuk qortohen”, thuhet në letrën që u publikua nga Kyviv Post.
Kjo letër është nënshkruar e hartuar nga politikanët kryesor në vendet e perëndimit si kryetari i komisioneve për politikë të jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, të Senatit të SHBA-ve, Bob Menendez, dhe kryetarët e komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.