Policia e Kosovës, më saktësisht hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës kanë arrestuar brenda 24 orëve të fundit dy të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999.
I arrestuari i së shtunës është një serb i lindur në vitin 1954 i cili dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. I njëjti, kishte ushtruar pozitën e Komandantit të Nën-Stacionit Policor në Rakosh të Istogut.
I njëjti është sjellë në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më 05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Ž.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut. I dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur pozitën e komandantit të Nën Stacionit Policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut. I njëjti është sjell në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës.”, ka thënë policia.
Në anën tjetër, të premten, policia ka arrestuar edhe një tjetër të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë. Arrestimi i tij ka ndodhur pas një pune të gjatë hetimore, mbledhje të provave dhe dëshmive lidhur me krimet e luftës në Kosovë.
I arrestuari i mbrëmshëm me inicialet M.P ka ushtruar gjatë viteve 98 dhe 99 pozitën e kryeshefit të milicisë serbe në Istog.
I njëjti është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale. Hetuesit policorë kanë pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës. Procesi hetimor është ndihmuar nga zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me të cilët është bashkëpunuar ngushtë në një punë ekipore, ku është bërë përpunimi inteligjent i informatave. Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog. I dyshuari M.P., është arrestuar sot, më 04.08.2023, në ora 18:05, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare. Me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.”, thotë policia