Një përleshje e armatosur që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin mbrëmë. Të dyshuar për ngjarjen tragjike në lokalin e njohur ‘Bon Vivant’, është Andi Pajaziti, i cili ndodhet në spital dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër për ndalim, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti, po ashtu të arrestuar dhe Dukagjin Nikollaj, i cili ka arritur që të arratiset nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me detaje rreth ngjarjes së rëndë, ku përmes një komunikate për media thuhet se është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur. Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovë janë duke punuar në drejtim të identifikimit të personave të implikuar në këtë rast me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes, teksa rasti është cilësuar ‘Vrasje të rëndë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’.
“Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale”, thekson Prokuroria.