Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Ligji për Zyrtarë Publikë, disa nga nenet, janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kuvendi i Kosovës i cili kishte miratuar këtë ligj, nenet që bien ndesh me Kushteutën, është i obliguar që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi t’i ndryshoj nenet e konstatuara “përtej kushtetutës”.
Nenet të cilat Kushtetuesja ia ka rrëzuar këtij ligji janë:
Përshtatatshmëria: “Në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata, njëzëri ka vendosur që (i) kriteri i “përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës;
Mbikëqyrja e implementimit “(ii) formulimi “si dhe mbikëqyrë implementimin e tyre” i pikës 1.1 të paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i nenit 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës) dhe nën-paragrafët 1.1, 1.2, 1.5 dhe 1.9 të paragrafit 1 dhe paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 13 (Ministria përgjegjëse për administratë publike) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës;
E drejta për informim “(iv) paragrafi 6 i nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafët 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës;
Lista e pritjes “(v) paragrafi 6 i nenit 67 (Lista e pritjes) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”;
Shfuqizimi i Ligjit (vii) paragrafi 2 i nenit 104 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës;
Ndërsa, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër që neni 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare] dhe nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës.
Reagimet:
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, e ka quajtur fitore këtë Aktgjykim të Kushtetueses, duke sqaruar se shumica e neneve që u kontestuan nga opozita, u miratuan në Gjykatë.
“EDHE NJË BETEJË KUSHTETUESE E FITUAR!
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kumtoi njoftimin se Ligji Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, i propozuar nga kjo qeveri dhe i miratuar nga shumica parlamentare NUK e kaloi testin e kushtetutshmërisë.
Këtë ligj, Grupi Parlamentar i PDK-së, nuk e ka kontestuar në tërësi por vetëm pjesërisht, prandaj shumica e dispozitave konkrete të cilat janë kontestuar, si të tilla, janë konfirmuar anti-kushtetuese.
Ndërkaq, si avokat dhe si Përfaqësues i Autorizuar i Grupit Parlamentar të PDK-së, ndihem i kënaqur dhe i lëhtësuar kur shoh vullnetin e plotë të deputetëve për t’i qëndruar besnik betimit që ata e kanë dhënë për të mbrojtur Kushtetutën dhe vlerat e saj. Prandaj, s’ka forcë që na ndalë për të luftuar dhe parandaluar shkelësit recidivist të rendit kushtetues.”- ka shkruar Fetahu.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se në demokraci nuk do të lejohet, që pusteti të shkruaj e zbatoj ligje kundërkushtetuese.
“Kjo ishte arsya pas gjithë zhurmës në seancën e fundit të mbajtur. Kjo ishte arsya pse pavarësisht që I NJËJTI ligj trajtohej në Gjykatë Kushtetuese, u munduan të kontrabandonin ndryshimet e njëjta për së dyti.
Jo në Kosovë! Jo në demokraci!” – ka thënë ajo.
hefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kontestimin e disa neneve të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Ai ka bërë me dije vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Zyrtarët Publikë është një epilog logjik.
“Kundër kushtetueshmëria mënyra e operimit në këtë qeveri! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Ligji për Zyrtarët Publik është antikushtetues, është një epilog logjik dhe demokratik kundër qasjes së këtij establishmenti që përmes logjikës së numrave dhe dominimit, po synon thyerjen e kurrizit të administratës publike dhe rrënimin e karierës profesionale në shtet. Po të ishim pjesë e Këshillit të Evropës, kjo qeveri do të ishte lidere evropiane në shkeljet e kushtetushmërisë, rendit dhe ligjit, si dhe të drejtave të njeriut!”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, administrata shtetërore duhet të jetë e pavarur.