Ish-presidenti amerikan Donald Trump pritet të paraqitet të enjten në një gjykatë federale në Uashington për t’u përballur me akuzat lidhur me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Masat e sigurisë u shtuan të enjten në zonën përreth gjykatës, ku ish presidenti Trump pritet të paraqitet për t’iu nënshtruar procedurave, përfshirë marrjen e shenjave të gishtërinjve të tij dhe deklarimit nëse ndjehet apo jo fajtor për akuzat.
Të martën u ngritën akuza të reja ndaj ish presidentit Trump përfshirë komplotin për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, pengimin e një procesi zyrtar dhe komplotin për t’i privuar votuesit nga e drejta e tyre për zgjedhje të ndershme.
Prokurorët thanë në aktakuzën prej 45 faqesh se zoti Trump bëri vazhdimisht pretendime për mashtrime zgjedhore që ai e dinte se nuk ishin të vërteta dhe ushtroi trysni ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve dhe nënpresidentit të atëhershëm Mike Pence, që të vepronin për ta mbajtur zotin Trump në pushtet.
Një turmë mbështetësish të zotit Trump sulmoi Kapitolin më 6 janar të vitit 2021, ndërsa anëtarët e Kongresit u mblodhën për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Ish presidenti Trump ka mohuar akuzat për keqbërje. Që nga largimi nga detyra, ai ka pohuar vazhdimisht se zgjedhjet e vitit 2020 ishin mashtrim dhe i cilësoi hetimet kundër tij si të motivuara politikisht. Ai kryeson aktualisht përpjekjet për të qenë kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Z. Trump tashmë është deklaruar i pafajshëm në dy çështje të tjera penale.
Ai është akuzuar në një gjykatë tjetër federale për mbajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar në pronën e tij në Florida dhe refuzimin e kërkesave të qeverisë për t’i kthyer dokumentet.
Ish presidenti Trump u akuzua gjithashtu në shtetin e Nju Jorkut për falsifikimin e të dhënave të biznesit në lidhje me një pagesë të një aktoreje të filmave për të rritur gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016./voa