Partia Social Demokrate (PSD) sapo ka zhvilluar një aksion simbolik në sheshin “Skënderbeu”.
Sipas PSD-së, kryeministri Kurti ka nevojë për mediat se i duhen, megjithatë do t’i mbajë ato në kafaz, shkruan Gazeta Papirus.
Komunikata e plotë e PSD-së:
Kurti i do mediat e mbyllura, të kufizuara, të disiplinuara, të varura dhe pa imagjinatë. Jo vetëm pa kritikë, por edhe pa sens për kritikë. T’i këpusim shqisat. Kafazi është hapësira që ua ka nda.
Sulmi ndaj mediave është me paramendim. Caku që pushteti aktual ka vënë merr me vete krejt çka i del përpara, deri në mbërritje. Të paktën këtë e dëshiron. E kësaj nuk i shpëtojnë dot as mediat, siç nuk i shpëtuan as mësimdhënësit, as sindikatat, as tregimi për UÇK-në. E gjithë shoqëria është në shënjestër. Një vetëdije e re po tentohet të mbjellët, dhe kjo përmes falsifikimeve.
Tutje, antikorrupsioni është lidhur me antikombëtarizimin. Se kjo dhezë, apo jo? Ta ushqejmë nacionalizmin, siç bëri me veriun e vendit. Pushteti na bëri sinonime, sepse propaganda nuk guxon të ketë hapësira të pambuluara shpjegimi. Ka përgjigje për çdo gjë. Ajo thotë: ata që nuk e duan vendin, na e vodhën, sepse veç një antikombëtar vjedh. Ky moral i hekurt është grusht për këdo që analizon e kritikon.
Prandaj sulmohen mediat. Dhe nuk ka nisur dje. Fillimisht duke abstenuar në emisione, tutje përzgjodhi RTK-në, të cilës ia kontrollon bordin (por doli veprim i paligjshëm shkarkimi i bordit të kaluar), deri tek mbyllja që filloi me Klan Kosovën. Në një rend autoritar çështjet teknike janë çdo here edhe politike.
Pyetja shtrohet: çka iu duhen mediat? E po, propaganda nuk është vetëm transmetim lajmesh, ajo interpreton ato sipas versionit zyrtar. Dhe me këtë vdes pluraliteti.
/Gazeta Papirus/