Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, sot ka folur rreth kësaj çështje Ilir Peci, kryetari i Zveçanit.
Ai ka theksuar se deri tani nuk ka udhëzim ndonjë vendim që t’i tregojë se si duhet të veprojë.
“Tash e shohim derisa nuk na vjen diçka zyrtarisht. Për mua si kryetar e shoh se ende është herët për të marrë një vendim”.
“Të shohim në ditët e ardhshme se si do të zhvillohet kjo situatë në komunat veriore. Është ende herët të marrë ndonjë vendim apo të japë ndonjë deklaratë rreth saj”, ka thënë Peci.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ka premisa se këto zgjedhje do të dalin të suksesshme.
Zeqiri ka thënë se interesi shtetëror dhe ai i qytetarëve është prioritet, prandaj ai është shprehur i gatshëm të përshtatet dhe të jetë përkrah çfarëdo vendimi që merr qeveria.
“Unë jam i gatshëm të japë dorëheqje, nëse është prioritet interesi shtetëror, do të jem përkrah interesave të qytetarëve. Ky vendim megjithatë është i organeve të qeverisë dhe çfarëdo forme do i përshtatem”, ka thënë Zeqiri, për RTV Dukagjini.
Ndryshe, të martën e 1 gushtit, kanë nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.