Gjykata Speciale ka njoftuar se është arrestuar ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.
Sipas Speciales ai është arrestuar nga autoritetet e Shqipërisë, në Tiranë.
Arrestimi është bërë në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë.
Në njoftim thuhet se “DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”.
Sipas komunikatës së Gjykatës Speciale, ai do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e tij në objektin e paraburgimit në Hagë.
Kjo është hera e parë që Gjykata Speciale kryen arrestim në territorin e Shqipërisë.
Ndërsa sipas EuronewsAlbania, arrestimi ka ndodhur pasi ndaj tij rëndon akuza se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale, të ngritura pas luftës në Kosovë.
Goxhaj e ka akuzuar më herët Nazlie Balën, e cila njëkohësisht është këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për dëshmitare të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Goxhaj në shkrimin autorial “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, i cili ishte publikuar në KosovaPress, ka shkruar se Balaj është e afërme e njërit prej viktimave për të cilin është dënuar nga Gjykata Speciale ish-eprori i UÇK-s, Salih Mustafa.
“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendonte ish-oficeri i UÇK-së, në shkrim.
Në këtë shkrim, Goxhaj akuzonte edhe dy persona të tjerë për dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë Speciale
Ndryshe, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi më 3 prill.
Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Të katër ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit 2020.
Që të gjithë, në nisje të gjykimit sërish u deklaruan të pafajshëm për të dhjetë pikat e aktakuzës.