Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar ndaj dokumentit non-paper, pas të cilit thuhet se qëndrojnë Franca dhe Gjermania e që flet për njohjen e sovranitetit territorial të Kosovës dhe Serbisë ndaj njëra-tjetrës dhe krijimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore”.
Osmani ka thënë se të gjitha dokumentet “non-papers”, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin tonë e kanë vetëm një burim: Serbinë.
“Kjo është strategji e vjetër e Serbisë, e përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë. Prandaj, të mos biem në kurthin e tillë. Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. “Non-papers”, të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut”, shkruan ajo në Facebook
Leximi i kujdesshëm i këtyre “non-papers” dhe idevë që prezantohen aty (siç janë ndryshimi i kufijve, krijimi i regjioneve autonome apo pushteteve të treta) tregon qartë se kush është hartuesi i vërtetë i këtyre dokumenteve”, shrkuan tutje Osmani.
“Sot është dita kur kujtojmë më të dashurit tanë fatin e të cilëve ende nuk e dijmë. Përderisa dhimbja jonë për ta vazhdon, përgjigjja rreth fatit të të zhdukurve me dhunë gjendet në Serbi. Asnjë “non-paper”, nuk mund t’i ndryshojë prioritetet e as kërkesat tona të drejta në raport me Serbinë: zbardhja e fatit të të zhdukurve, drejtësia si dhe reparacionet për dëmet e luftës”, përfundon Osmani.
Ndryshe, Bashkimi Evropian mohon se dokumenti “non-paper” i publikuar dje në media e që flet për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është qëndrim i Bashkimit Evropian.
Dokumenti “non-paper” është quajtur nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde si lajm i rremë, se ai dokument është hartuar nga gjermanët dhe francezët.
Edhe Ambasada e Francës në Kosovës ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.
Reagim ka pasur edhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha sot se “non-paper” lidhur me marrëveshjen që duhet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë botuar nga mediat në Prishtinë u ideua nga dikush shumë më i zgjuar dhe më dinak se ai.
“Non-paper” u raportua më 26 prill si njohje e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dokumenti “non-paper” – i mohuar zyrtarisht – përfshin shumë më shumë se kaq. Thotë se do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, që nga përshkrimi duket me kompetenca gati sa të shtetit. Përdoret termi “Kosovë Veriore”, e jo veriu i Kosovës. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.