Për vendimin e Klan Kosovës, ministrja e Qeverisë Kurti, Rozeta Hajdari u thirr në zbatimin e ligjit.
“Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim”, shkruante Hajdari në një postim në Facebook, ku njoftonte se po zbaton ligjin për rastin e Klan Kosovës.
ADVERTISING
Mirëpo, Rozeta Hajdari, të gjithë drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Industrisë, Ndëramrrësisë dhe Tregtisë i ka vendosur në mënyrë të kundërligjshme. Përderisa për Klan Kosovën Hajdari kërkon ligjshmëri, në dikasterin që e drejton paligjshmëria është kthyer në normë.
ADVERTISING
Pozita e sekretarit, që është në hierarki e dyta për nga rëndësia, pas pozitës së ministres, është vakante dhe mbahet në mënyrë të kundërligjshme nga një zyrtar. Po ashtu 7 agjencione të kësaj ministrie dhe 2 drejtori të rëndësishme drejtohen kundërligjshëm nga zyrtarë që janë emëruar nga Hajdari.
Hajdari që nga marrja e mandatit nuk ka arritur ta përfundojë asnjë konkurs për pozitën e sekretarit. Katër herë e ka shpallur konkursin, ndërsa 3 herë e ka anuluar sepse askush nuk ka shfaqur interesim për këtë pozitë. Për herë të 4 e ka shpallur më datën 15 qershor të këtij viti.
Aktualisht pozitën e zëvendësuesit të sekretarit e mban Daut Latifaj që ka pozitën profesional 2 me ligjin e ri të pagave, apo zyrtar i lartë me ligjin e vjetër. Bazuar në ligjin e administratës publike pozitën e zëvendësuesit të sekretarit mund ta ushtrojë vetëm nëse një zyrtar ka pozitën e drejtorit.
Hajdari në mënyrë të kundërligjshme e ka vendosur edhe Zef Dedaj në pozitën e zëvendësuesit të kryeshefit të KIESA-së. Hajdari e vendos Dedajn nga pozita e udhëheqësit të një divizioni në Departamentin e Tregtisë në pozitën e zëvendësuesit të kryeshefit në KIESA duke anashkaluar të gjitha procedurat ligjore. Përkundër se ligji e parasheh që një zëvendësues mund ta ushtrojë detyrën vetëm 6 muaj, Dedaj tashmë i ka kaluar më shumë se 1 vit në këtë pozitë në kundërshtim me ligjin.
Pozita e kryeshefit është ekuivalente me të sekretarit dhe e njëjta nuk mund të mbahet nga një zyrtar që nuk e ka pozitën e drejtorit. Dedaj pozitën me akt-emërim e ka udhëheqës i divizionit. Edhe për kryeshef të KIESA-së ishte shpallur konkurs, më 8 nëntor të 2022, por askush nuk është përzgjedhur.
Në Agjencinë e Metrologjisë Hajdari po ashtu ka vendosur në mënyrë të kundërligjshme në pozitën e zëvendësueses së kryeshefes, Sebahate Brushrani, që mban pozitën me akt-emërim udhëheqëse e sektorit për metale të çmuara. Po ashtu për këtë agjenci ishte shpallur konkursi për kryeshef më 24 gusht të vitit 2022, por që ishin anuluar procedurat në mënyrë të çuditshme. Nga ajo kohë asnjëherë nuk ka shpallur konkurs për kryeshef dhe agjencia vazhdon të drejtohet në kundërshtim me ligjin.
Edhe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, që vendosi për pezullimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën, drejtohet kundërligjshëm nga Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti.
Haliti që ka pozitën e zyrtares ligjore në Inspektorat, kishte ushtruar po ashtu për disa vite pozitën e kryshefes së inspektoratit, mirëpo me vendim të Hajdarit është dërguar në ARBK në kohën kur po zhvillohet beteja me Klan Kosovën. Ministrja Hajdari ia ka besuar Halitit pozitën e zëvendësueses së kryeshefes në ARBK, pasi Pranvera Prestreshin e liroi nga detyra.
Që nga marrja e mandatit, Hajdari e ka shpallur vetëm një konkurs për pozitën e kryeshefit të ARBK më 22 gusht 2022, por që i kishte anuluar procedurat përkundër që dy zyrtarë të MINT e kishin kaluar fazën e parë të konkursit.
Inspektorati po ashtu që është agjencion, drejtohet në mënyrë të kundërligshme nga Naim Hajra, që mban pozitën e Inspektor për sigurinë e pajisjeve elektronike. Nga pozita e inspektorit, Hajra është emëruar zëvendësues i kryeshefit, duke kapërcyer disa pozita.
Agjencia Kosovare për Standardizim që në kuadër të MINT po ashtu është më zëvendësues të kryeshefit që nga për më shumë se dy vjet. Këtë pozitë e mban Bujar Istogu, që është drejtor i drejtoratit për standarde, që është i vetmi që e plotëson kriterin për ta mbajtur pozita të larta, por që i ka kaluar më shumë se dy vjet, ndërsa ligji e përcakton se një zëvendësues maksimalisht 6 muaj mund të ushtrojë pozitën dhe duhet zëvendësohet ose të shpallet konkurs.
Në Agjencinë për Pronësi Industriale, Hajdari e ka emëruar Isa Dukajn, po ashtu në mënyrë të kundërligjshme, pasi që ky i fundit nuk e plotëson kriterin, sepse është zyrtar profesional 2. Dukaj për gati 2 vjet mban këtë pozitë, duke kaluar edhe afatin 6 mujor që ligji e përcakton se duhet zëvendësuar.
Ministrja Hajdari në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur zëvendësuese të kryeshefes Ardiana Shalën në Agjencinë e Akreditimit. Shala përveç që ka pozitën e zyrtares, ndërsa e mban atë të kryeshefes, i ka kaluar edhe afatet ligjore për ushtrimin e kësaj pozite. Janë bërë më shumë se 2 vjet që Shala është në këtë pozitë dhe Hajdari nuk shpallur konkurs për ta vendosur ligjshmërinë.
Po ashtu Drejtoria e Rregullimit të Tregut të Naftës, ku merren të gjitha licencat për importin e derivateve, drejtohet kundërligjshëm nga Bujar Mustafa. Në këtë pozitë të zëvendësuesit të drejtorit Mustafa është vendosur nga pozita e zyrtarit profesional 2. Më shumë se 1 vit Mustafa e ushtron detyrën e drejtorit, duke i anashkaluar edhe afatet ligjore që e përcaktojnë mbajtjen e një pozite si zëvendësues.
Njëra nga drejtorit më të rëndësishme të kësaj ministria drejtohet qe më shumë se 1 vit kundërligjshëm nga Igballe Rexha. Rexha që ka pozitën e udhëheqëses së një divizioni është zëvendësuese e drejtoreshës në Departamentin e Tregtisë në MINT, ndërsa deri më tani një konkurs që është shpallur për këtë pozitë është anuluar.
Nga 7 agjenci sa i ka MINT, asnjëra nuk drejtohet në mënyrë ligjore. Po ashtu pozita e sekretarit vazhdon të jetë vakante. Nga 14 Departamente, dy më të rëndësishmet drejtohen kundërligjshëm, ajo e Tregtisë dhe e Rregullimit të Tregut të Naftës. Rozeta Hajdari nuk po arrin ta shtrijë ligjshmërinë në MINT, përkundër që qeveria Kurti është në vitin e 3 të qeverisjes./Albanian Post