Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar një dokumentacion në gjuhën maqedonase, me të cilën pretendon se pronari i Klan Kosovës ka paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë, në regjistrimin e biznesit në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një komunikate, MINT ka thënë se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosovën, ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjet në fuqi.
“Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë” – thuhet në komunikatë.
“Në bazë të këtij dokumentacioni, i cili gjendet më poshtë, Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e pare” – thuhet tutje.
Në fund, MINT ka thënë se çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së, por sipas tyre, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen si çështje teknike.