Rep artisti, Mozzik është përballur me një situatë aspak të këndshme gjatë koncertit të tij të mbrëmjes së 27 korrikut në një prej diskotekave në qytetin e Gjilanit.
Mozzik, ishte detyruar të ndërpresë koncertin e tij, si pasojë e ndërhyrjes së forcave policore, të cilët kërkuan lirimin e hapësirës në diskotekën “Stop”.
“Ju kërkoj falje. Faleminderit që keni ardhur sotëm por duhem me lëshu ‘clubin’ se paska ndodh diçka. Shihemi Gjilan ju dua shumë”, iu tha ylli i hitit “Hana”, të pranishmëve në koncert, derisa pamjet nga ky moment janë bërë virale në mediat sociale.
Rastin në fjalë për Albanian Post e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani – bëhet fjalë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm – saktësisht, të shtëna me armë zjarri dhe konfiskim i një granate dore.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilanit, Stacioni Policor Gjilan me datën 28.07.2023 rreth orës 01:40 ka pranuar informacion se në oborrin e një diskoete në qytetin e Gjilanit ka të shtëna me armë zjarri”, thuhet në komunikatën për media.
“Njësitet policore relevante i janë përgjigjur rastit. Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore, e cila ishte e pashpërthyer. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet tutje në komunikatë.
Autoritetet policore bëjnë të ditur se të gjithë pjesëmarrësit e koncertit janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga diskoteka, derisa për rastin është informuar edhe Prokurori i Shtetit.
Rasti mbetet nën hetime, deri në zbardhjen e plotë të tij.
Përndryshe, Mozzik po vazhdon të mbetet një prej artistëve më të prenotuar për koncerte brenda dhe jashtë vendit.
Brenda 30 ditëve të fundit, ai ka publikuar dy projekte muzikore – një në bashkëpunim me Kidën, “Forever together”, që aktualisht numëron afro 6 milionë klikime në YouTube, dhe një solo projekt, “Escozikki”, që në më pak se një javë, ka kaluar shifrën e 2 milionë klikimeve në të njëjtën platformë.