Federata e Futbollit të Kosovës, ka reaguar pas banerit të klubit serb, Cërvena Zvezda, për koreografinë skandaloze në ndeshjen kundër Fiorentinës në Beograd, ku shfaqej një tank me mbishkrimin “kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Sipas FFK-së, paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen mes vendeve në rajon, e sidomos në periudhën e tensioneve mes Kosovës e Serbisë.
“Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës”.
“Federata e Futbollit të Kosovës ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe parimet e UEFA-së, duke paraqitur ankesë zyrtare për këtë çështje. Ne kemi kërkuar nga organet e UEFA-së që ta hetojnë me urgjencë këtë rast dhe të marrin masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të Cërvena Zvezdës, në mënyrë që veprimet e tilla shoviniste dhe provokimet e ngjashme të parandalohen në të ardhmen”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Tutje, FFK-ja tha se koreografitë dhe sloganet e tilla që synojnë të shkaktojnë konflikte dhe urrejtje mes vendeve dhe popujve nuk duhet të tolerohen.
“Ky rast na bën të kuptojmë se duhet urgjentisht organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit. Shpresojmë dhe besojmë që ankesa e reagimi jonë do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen”.
“FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive”, thuhet në reagim.