Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se deputetët e këtij subjekti do të rifillojnë votimin në Kuvendit e Kosovës kur të shpërbëhet legjislatura e tanishme.
Ai, në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, ka theksuar se ky qëndrim i tyre për shkak të situatës së vështirë të Kosovës, që sipas tij, është si pasojë e Qeverisë së Albin Kurtit.
“Ne nuk do të votojmë deri në ditën kur ta ftojmë një seancë për ta shpërndarë Kuvendin e Kosovës. Këtu rrugëdalje nuk ka më jemi në degradim të skajshëm që e kemi pasur tani e dy vite e gjysmë. Ju e shihni degradimin e madh që po e jetojnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Më tej, Tahiri ka theksuar se në kryesi PDK-ja ka propozuar që të votohet për një debat lidhur me përgjimet që janë publikuar të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, duke biseduar me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq.
“Pika e propozuar nga PDK-ja nuk mori vota pro, ka mbetur që në seancën e së premtes ta hedhim në votim”, ka thënë Tahiri.