Një muaj para vdekjes së tij, në mars të vitit 1994, ish-Presidenti i ShBA’së, Richard Nixon, i ishte drejtuar personalisht me letër Presidentit Bill Clinton, duke i ofruar këshilla përmes një raportimi personal. Nixon i thotë Clinton-it se po qe se do të ketë luftë në Ukrianë, ajo në Bosnje-Hercegovinë do të ishte thjesht një “festë në kopsht”.
Përmbajtja e kësaj letreje u publikua në Librarinë Presidenciale të Clinton-it ndërsa historiani Luke Nichter foli rreth përmbajtjes së saj në Wall Street Journal, raportoi Al Jazeera.
Në këtë letër shtatë-faqëshe, Nixon i përshkruan qartë situatën politike në Rusi, duke parashikuar sakt se marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Kievit do të përkeqësoheshin ashpër nëse dikush si Vladimir Putin merr pushtetin.
Nixon, i cili ishte 81 vjeçar atë kohë, letrën ia kishte shkruar Clinton-it, pasi po kthehej prej një udhëtimi nga Rusia dhe Ukraina.
Situata ‘jashtëzakonisht e ndezshme’
Nixon e konsideroi mbijetesën e lirive politike dhe ekonomike në Rusi si “çështjen më të rëndësishme të politikës së jashtme” me të cilën do të përballej Rusia në shekullin e 20-të. Duke e kuptuar këtë, ai i tha Klintonit se, bazuar në atë që kishte parë në Rusi, demokracia e re nën ish-presidentin rus Boris Jelcin ishte “në rrezik“.
Në letër, Nixon parashikoi se marrëdhëniet midis Moskës dhe Kievit do të prisheshin dhe ai e quajti situatën në Ukrainë “jashtëzakonisht të ndezshme“. Ai tha se nëse situata në Ukrainë del jashtë kontrollit, Bosnja do të jetë “si një festë në kopsht“.
Ish-presidenti më pas e këshilloi Clinton-it të forconte praninë diplomatike amerikane në Kiev dhe ai gjithashtu bëri thirrje për të zhvilluar marrëdhënie me pasardhësit e mundshëm politikë të Jelcinit.
“Bush (i moshuari) bëri një gabim sepse ishte shumë i lidhur me Gorbaçovin, për shkak të miqësisë personale. Ju duhet të shmangni të njëjtin gabim pasi keni një marrëdhënie shumë të mirë personale me Jelcinin,” shkroi Nixon në një letër drejtuar Klintonit.