Kryeministri Albin Kurti me nxitim dorëzoi aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian në Pragë dhjetorin e vitit të kaluar derisa Republika Çeke po udhëhiqte me Presidencën e BE-së. Arsyeja ishte se ky shtet u tregua i suksesshëm në çuarjen përpara të çështjeve me interes për Kosovën siç ishin vizat. Megjithatë, më shumë hise për t’u marrë me dosjen e Kosovës i ra Suedisë, e cila që nga janari e pasoi Çekinë. Tash situata është më problematike për mbarëvajtjen e aplikimit të Kosovës meqë në krye të Presidencës është shteti anëtar më kundërshtuesi i shtetësisë së Kosovës.
Spanja ka marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së nga fillimi i këtij muaji dhe i zgjat deri në fund të vitit kur edhe e përfundon ciklin gjashtëmujor. Por, a do të penalizohet aplikimi i Kosovës gjatë kësaj periudhe?
Për këtë çështje ka folur për Gazetën Express një burim diplomatik spanjoll, i cili tha se qëndrimi i Spanjës është i njëjti për Kosovën. Këtë kohë Spanja e sheh si përfundimtaren për të ardhur deri te zgjidhja, derisa shtoi se ish-ministri i Jashtëm i tyre, kryediplomati aktual i BE-së Josep Borrell, ka një interesim të madh për t’i dhënë fund marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Spanja mban qëndrimin e saj mosnjohës ndaj deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008. Ne mbrojmë nevojën që çështja e territorit të Kosovës të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është koha për të bërë përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ne kemi një Përfaqësues të Lartë me interesim të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe ne mbështesim plotësisht punën e Përfaqësuesit Special Lajçak”, tha ky burim diplomatik për Gazetën Express.
Shteti spanjoll, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të problemeve të brendshme që ka, në vazhdimësi ka deklaruar se është përkrahëse e rezultatit që del nga dialogu Kosovë-Serbi i udhëhequr nga BE.
Por, Spanja nuk bëri ndonjë hap pozitiv karshi Kosovës as kur nga ky dialog doli marrëveshja e Ohrit. Në një përgjigje të mëhershme, disa ditë pasi BE njoftoi se ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria spanjolle tha për Express se Spanja ruan pozicionin e saj karshi Kosovës dhe se mbështet “fuqimisht një zgjidhje të pranueshme reciprokisht në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE”, por se pret edhe zbatimin e marrëveshjes.
Për dallim nga Spanja, Suedia kishte dhënë mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Në shkurt të këtij viti Presidenca suedeze pati thënë se është duke u marrë me aplikimin e Kosovës dhe se po vazhdon me konsultime me shtetet anëtare. Megjithatë, përmbajtjen e tyre s’e kanë komentuar.
Zyrtarët europianë që po ndërmjetësojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi e kanë potencuar në vazhdimësi se dialogu është rruga nëpër të cilën dy shtetet fqinje duhet të kalojnë për t’u bërë shtete anëtare.
Për dallim nga vendet e tjera europiane që aspirojnë Unionin, Kosova ka një problem më specifik meqë nuk njihet nga pesë vende anëtare të BE-së – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro – dhe për të miratuar kërkesën për anëtarësim kërkohet unanimiteti i 27 anëtarëve.
Në mes të dhjetorit, kryeministri Kurti udhëtoi drejt Pragës për t’i dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Atje Kurti pati thënë se është një ditë historike për Kosovën dhe një ditë e madhe për demokracinë në Europë.