Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit se është kundër vlera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e mohon këtë gjë.
“Lufta” ndërmjet PDK-së e VV-së ka të bëjë me Ligjin e Pagës Minimale, pasi jashtë saj mbetën veteranët e UÇK-së.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, thotë se partia në pushtet ka mungesë të patriotizmit, pasi sipas tij, shigjetat i drejton kah UÇK-ja.
Thotë se VV-ja po mundohet ta degradojë luftën e drejtë të UÇK-së.
“Tash kur është ardh puna me u miratuar Ligji i Buxhetit, debati më i madh kinse shpenzimet e paarsyeshme ka qenë buxheti që është ndërlidhur me veteranët. Këtë e kanë bërë të gjitha partitë që nuk e kanë në ADN-në e tyre Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Andaj është e turpshme kjo që po mundohen çdo herë me adresuar shigjetat drejt një kategorie e të cilat do duhej i tërë spektri shoqëror e gjitha institucionet të tregojnë respekt”.
“Unë mendoj se këta kompleksin deficiti patriotik dhe tani mundohen ta kompensojnë atë duke u munduar t’i anatemojnë, t’i degradojnë dhe në sy të opinionit ta krijojnë këtë opinion se çfarë e kanë krijuar tash, se kush janë këta dhe çfarë kanë bërë”, thotë Berisha.
Deputeti i PDK-së, e quan Vetëvendosjen si “kategori e stërkequr e shoqërisë” dhe “pjellë të Serbisë”.
Berisha thotë se përmes Vetëvendosjes, në Kosovë ende qëndron ish-shefi i Sigurimit Sekret serb, Ivica Stanishiq.
“Është një kategori e stërkequr e shoqërisë, shpresoj se është brezi i fundit që është pjellë e Serbisë e që Stanishiqi shotë se në një mënyrë ose tjetër jemi në Kosovë. Kjo është struktura e tij që ai e ka në Kosovë, që e godet çdo vlerë sublime dhe që qëndron në themelet e lirisë sonë dhe po ta shihni historikun e Kurtit deri ku është këtu, ku provoi ta bënte një zyre të UÇK-së në Prishtinë dhe kjo ishte me qëllime të krijohej ai trekëndëshi i nxitjes dhe përçarjes dhe zvogëlimit të peshës e fuqisë mobilizuese të dy branzheve kryesore që bënin mobilizimin e gjitha kategorive të shoqërisë në atë botë për luftë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm”, thotë Berisha.