Tema e Pashkë Markut, gruas nga Gjakova që dogji vetën pasi varrosi dy djemtë e saj të vrarë nga forcat serbe, u rikthye sot.
Guri i vendosur në vendin ku ajo u vetëflijua, u hoq nga pronari i tokës.
Liridon Marku, nipi i Nanës Pashkë, ka treguar se pronari i tokës pasi 20 vjet më parë me vetëdëshirë lejoi vendosjen e gurit, i ka kërkuar familjes ta heqin, për arsye fetare.
Sipas Markut, pronari i tokës e ka akuzuar familjen e Nanës Pashkë se duan ta bëjnë kishë aty.
Por si ndodhi vetëflijimi i Nanës Pashkë, në vitin 2003?
Nipi i Nanës Pashkë tregon se deri në vitin 2003, Pashkë Marku ka pyetur babain e tij (djalin e madh të saj) nëse ka marrë vesh diçka për dy djemtë e zhdukur.
Pasi trupat e tyre u gjetën dhe iu dorëzuan familjes, nipi i saj tregon se Nana Pashkë ishte e zotuar për t’ua kryer ceremoninë e varrimit pa i vajtuar ata.
Pak ditë pasi bëhet ceremonia, ajo distancohet nga familja, në kohën kur të gjithë ishin në gjumë dhe shkon te varret e dy djemve të saj të vrarë.
Nipi i saj tregon se ajo më pas e ka djegur vetën në vendin ku është vendosur guri, e që i bie në mes shtëpisë së Nanës Pashkë dhe varrit të djemve të saj.
Ai tregon se e kanë kërkuar për disa ditë Nanën Pashkë, derisa Policia e ka gjetur të vdekur në tokën afër shtëpisë.
Liridon Marku tregon se Nana Pashkë ka thënë se do të donte ta digjte vetën para Kuvendit të Kosovës, në kohën kur po kërkoheshin të zhdukurit në luftë, porse kishte frikë se do ta ndalnin një veprim të tillë.