Deputetja e LDK-së, Rezarta Krasniqi, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili sot refuzoi të raportonte për dialog në Komisionin për Integrim Evropian.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se refuzimi i raportimit sot në komision ishte i përgatitur nga partia në pushtet.
“Zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë për raportim në Komisionin për Integrim Evropian, duke i ikur përgjegjësisë kushtetuese. Kjo është e vërteta e vetme, ndërsa deklarimet se mos-ardhja e tij ishte si rezultat i mungesës së kuorumit janë shpifje dhe manipulim. Ata që nuk ishin prezent i takojnë partisë në pushtet. Tani del se gjithçka ka qenë mirë e organizuar nga ta, për të pamundësuar raportimin, sepse duan ta fshehin para qytetarëve se kush në të vërtetë janë ata dhe në çfarë janë të angazhuar. Mashtruesit mbesin mashtrues”, ka shkruar Krasniqi.