Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka paralajmëruar protestë dhe bllokimin e punës në Kuvendin e Kosovës e po ashtu të Qeverisë për shkak të përjashtimit të veteranëve nga paga minimale.
Ndaj përjashtimit të veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga paga minimale, Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) ka vendosur të pengojë funksionimin e punës në Kuvendin e Kosovës gjatë seancave parlamentare.
Për sa kohë që kërkesa e tyre për përfshirjen në ligjin për pagën minimale nuk është plotësuar, siç ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, do të vazhdojnë të bllokojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, protesta e paralajmëruar do të fillojë me datën 26 korrik.
“Është paralajmëruar një protestë për datën 26 korrik, atëherë kur do të mbahet një seancë në Kuvendin e Kosovës, që ka të bëj me mospërfshirjen e veteranëve të luftës së UCK-së në ligjin për pagën minimale. Në mbledhjen e kryesisë është vendosur të mbahet protestë në çdo seancë që do ta ketë Kuvendi i Kosovës, ne e kemi marrë vesh që do të jenë në seancë më atë datë, dhe për atë e kemi cekur”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Ai ka theksuar se organizata ka qenë e përfshirë në diskutime dhe takime me kryeministrin në të kaluarën, duke kërkuar përfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale.
Megjithatë, sipas tij, përpjekjet nuk kanë sjellë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
“Qysh nga viti i kaluar që kemi pasur protesta dhe kemi pasur po ashtu takime me kryeministrin Kurti kemi treguar që në momentin që e kalon leximin e dytë ligji për pagën minimale dhe i përjashton veteranët ne do t’i bllokojmë institucionet e Kosovës, në këtë rast Kuvendin dhe Qeverinë, varet varësisht sesa masive do të jetë protesta”, ka thënë tutje ai.
Në anën tjetër, ai ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë kontakt zyrtar me Qeverinë dhe ka vlerësuar se çështja tani është në dorën e presidentes për dekretimin e ligjit.
Ndër të tjera, ai ka akuzuar Qeverinë për shkelje dhe ka theksuar se organizata nuk pranon më një takim me kryeministrin Kurti.