Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit, se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për sulm kibernetik ndaj portalit “Nacionale”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurit S.Ç., pasi në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
“Sipas aktakuzës, më 10 korrik 2022 në Prishtinë, i pandehuri i lartcekur, përmes Laptopit të tij të llojit “Lenovo”, pa autorizim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të shkaktimit të dëmit të personit tjetër, ka kryer sulm kibernetik të llojit DDoS ndaj të dëmtuarës portalit “Nacionale”, i cili ka rezultuar me degradimin dhe mosfunksionim normal të portalit, e po ashtu më 13 korrik 2022, i njëjti e ka skanuar në vazhdimësi web faqen e të dëmtuarës përmes programeve të veçanta nëpërmjet internetit dhe ka tentuar të qaset edhe në panelin (indeks fajllin) e web faqes me qëllim që të gjejë dobësi për tu qasur pa autorizim brenda sajtit, andaj me këtë ka kryer veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.