Ludogorets ka bërë një përmbysje e madhe për ta eliminuar Ballkanin dhe avancuar në rrethin e dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht fitores 2:0 në Prishtinë, klubi bullgar triumfoi me rezultat të thellë 4:0 në ndeshjen kthyese për ta siguruar ‘biletën’ për në raundin e dytë kualifikues.
Ludogorets tregoi fuqinë qysh nga fillimi duke kaluar në epërsi pas vetëm katër minutave lojë. Ishte Bernard Tekpetey që shënoi me kokë nga afërsia pas një ‘hutie’ në mbrojtjen mysafire – VIDEO.
Vendasit kishin edhe një tjetër rast të artë shënimi mirëpo portieri Enea Koliçi bëri një super pritje, duke e ndalur goditjen e Tisseras nga afërsia.
Sidoqoftë, Ludogorets arriti ta dyfishojë epërsinë në kohën shtesë me anë të Tekpetey, që realizoi me një goditje të fuqishme nga afërsia (45+1’) – VIDEO.
Ludogorets vazhdoi me këtë formë edhe në pjesën e dytë, ku përfitoi nga dy gabime të Ballkanit për ta vulosur çështjen e fituesit.
Bajram Jashanica bëri një gabim amator në mbrojtje, duke ia falur topin Matias Tissersa, që e kishte të lehtë të shënonte nga afërsia (49’) për ta realizuar përmbysjen – VIDEO.
Presioni mbi kosovarët vazhdoi edhe në minutat e mbetur, ku pas një tjetër gabimi përfitoi Spas Delev që asistoi për Caio Vidal, i cili e vulosi fitoren prej 4:0 (78’) – VIDEO.
Kësisoj, Ludogorets avancon në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, kurse Ballkani bie në Ligën e Konferencës.
Kampioni i Kosovës tani do ta ketë objektiv ta arrijë fazën grupore të këtij kompeticioni, siç ia dolën vitin e kaluar.