Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës “Isa Grezda”, ka marrë vendim që nga data 7 korrik të ndërpresë punën në sallat operative, përveç rasteve urgjente.
Mirëpo, arsyetimi ka qenë i çuditshëm nga ana e spitalit, ku një ndër arsyet e ndërprerjes është cekur edhe temperaturat e larta dhe pushimet vjetore nga ana e stafit.
“Të ndërpritet puna në sallat operative, për programin e ftohtë (të planifikuar) duke filluar prej datës 07.07.2023. Ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale në punë. Prej datës 07.07.2023 në sallat operative pranohen vetëm rastet urgjente, deri në një vendim tjetër”, thuhej në vendimin e spitalit “Isa Grezda”.
Spitalin e Gjakovës me datën 2 korrik e kishte vizituar Kryesuesi i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovë, Naim Bardiq i cili njëherësh është edhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe u.d. Drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Narqize Arenliu – Hoxhaj.
Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, pas raportimit për punën dhe mangësitë e këtij spitalit kishte ofruar drekë për mysafirët nga Prishtina.
Për këtë drekë, drejtori i Spitalit të Gjakovës ka paguar 455 euro. Ku mysafirët kishin porositur pije dhe ushqime nga deti e ka siguruar faturën e kësaj dreke:
Drekën me karkaleca deti dhe ushqimet të tjera e ka konfirmuar edhe vetë drejtori, Jeton Zarari, por nuk ka idenë sa ka qenë totali i shumës së paguar.
“Beso që nuk kam ide. Drekë ka qenë, sepse kanë marrë vendim (MSH dhe SHSKUK) që çdo dytën shtune me i vizatuar Spitalet Rajonale. Bashkë me e u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Narqize Arenliu – Hoxhaj, sekretari permanent dhe drejtuesi i bordit të SHSUK-së, Naim Bardiqi, dhe me gjithë anëtarët e Bordit. Spitali jonë dhe Instituti i Mjekësisë së Punës si qendër terciale që është këtu në Gjakovë dhe Shëndeti Mendor – të tri këto njësi kemi raportuar tek Bordi për të arriturat tona, mangësitë, etj”, ka thënë Zarari.
Zarari ka treguar se gjatë muajit korrik dhe gusht ka mungesë të stafit si pasojë e pushimeve vjetore, prandaj edhe është marrë vendimi për pushim!
“Keni informatë të gabuar, totalisht të gjitha mediat. Sallat për çdo vjet, qysh nga pas lufta e këndej, ndalen dy muaj e nuk punojnë për shkak të mungesës së anesteziologëve që shkojnë në pushime, pasi që edhe ashtu kemi numër të vogël. Shkojnë në pushime, i shfrytëzojnë është e drejtë e tyre themelore edhe stafi përcjellës, infermierët, teknikët dhe të gjithë shkojnë në pushime. Prandaj i reduktojmë operacionet vetëm në raste urgjente dy muaj – korrik dhe gusht. Ky nuk është lajmi i ri, pasi ka që 23 vjet që ndodhë kjo, mirëpo dikujt i ka konvenuar me bë mediatike”, ka thënë tutje ai.
Pas raportimit për vendimin punës në sallat operative, Inspektorati Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ka zbarkuar për inspektim gjatë ditës së mërkurë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës.
Madje, vetë drejtori i Spitalit, Jeton Zarari, e ka konfirmuar se ka qenë Inspektorati Shëndetësor në spitalin të cilin ai e drejton.
I pyetur se çfarë vendimi ka marrë Inspektorati Shëndetësor, ai ka shtuar se nuk e ka marrë ende raportin. “Kam qenë gjithë ditë në takime pune në Ministrinë e Shëndetësisë në grup punës dhe ende nuk jam kthyer për ta marrë raportin . E shohë ndërkohë nesër në mëngjes së çka kanë thënë. Nga sallat operative më lajmëruan që ne kemi qenë duke punuar kur kanë ardhur inspektorët. Me siguri e kanë bërë vlerësimin”, tha Zarari.
Tutje ai ka potencuar edhe mungesën e anesteziologëve me të cilën përballet spitali i Gjakovës.
“Ne i kemi 5 anesteziologë. Duke marrë parasysh që njëri mungon për çdo ditë për shkak të kujdestarisë 24 orësh, pastaj e ka ditë të lirë. D.m.th 4 janë gjithsejtë në punë. Prej 4 anesteziologë, ku janë 8 salla operative dhe 33 profile kirurgjike. Dy prej tyre (anesteziologë) e kanë marrë pushimin në korrik dhe dy të tjerë e marrin në muajin gusht dhe kështu harrnohemi dhe mbulohemi”, tha Zarari.
Ai ka treguar se ka bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për rritjen e mjekëve anesteziologët.
“Kemi bërë kërkesa çdo vit për anesteziolog. Sa për informatë, tre anesteziologë nga Gjakova i ka marrë Prishtina”, ka thënë ai./demokracia.com