Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka publikuar barometrin publik të Ballkanit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Tashmë pushteti ka nisur të shfrytëzojë këtë barometër për të treguar përkrahjen e qytetarëve ndaj Qeverisë së Kosovës. Në fakt, në krahasim me vitin e kaluar, Qeveria Kurti, sipas barometrit, ka më pak përkrahje qytetare. Pse?
Në bazën e të dhënave të RCC-së, që është lehtësisht e qasshme, mund të gjenden të dhënat për vitin 2023, të cilën pjesë po e citojnë VV-ja, por edhe për vitin 2022.
Në pyetjen “Sa keni besim në qeverinë?”, vetë, 11 për qind e qytetarëve të Kosovës janë përgjigjur që i besojnë plotësisht. Ndërsa priren t’i besojnë janë 45 për qind. Pra vetëm 11 për qind i besojnë plotësisht, ndërsa 45 për qind PRIREN t’i besojnë, pra anojnë drejt besimit në Qeverinë Kurti.
Megjithë këtë dallim, VV-ja dhe eksponentë të saj kanë theksuar se besimi në Qeverinë Kurti është 56 për qind. Sidoqoftë, në krahasim me vitin e kaluar, besimi në Qeverinë Kurti ka rënë.
Në pyetjen e njëjtë, në vitin 2022, 30 për qind e qytetarëve janë deklaruar se kanë besim në Qeverinë Kurti, ndërsa 38 për qind kanë deklaruar se priren për t’i besuar.
Pra në vitin 2022, 30 për qind e qytetarëve besonin plotësisht në Qeverinë Kurti, për dallim nga viti 2023, kur në Qeverinë Kurti besojnë plotësisht vetëm 11. Ndërsa në total, nëse ndjekim logjikën e VV-së, nga 68 për qind e besimit në vitin 2022, Qeveria Kurti ka rënë në 56, pra një rënie për 12 pikë.
Njëkohësisht, këtë vit është rritur edhe përqindja e njerëzve që priren të mos i besojnë Qeverisë Kurti. Nga 17 për qind sa ishte në vitin 2022, tash 30 për qind e qytetarëve priren të mos i besojnë. Ndërsa ka rënie për 1 për qind në përqindjen e njerëzve që nuk besojnë plotësisht në Qeverinë Kurti.
Çka po thotë VV-ja?
Lëvizja Vetëvendosje ka postuar në faqen e tyre një infografikë, në të cilin njoftojnë se “Kosova e para në Ballkan sa i përket besimit të qytetarëve në Qeveri”.
“56% të qytetarëve i besojnë Qeverisë.” – thuhet në postimin e VV-së.
Pra VV-ja nuk e ka shfaqur të vërtetën e plotë, duke i cituar vetëm të dhënat për vitin 2023 dhe jo edhe ato të vitit 2022, krahasimi i të cilave tregon një rënie për 12 pikë në besimin për Qeverinë Kurti. Në këtë kontekst, ky është një interpretim gjysmak dhe paraqitje selektive e të dhënave.
Të njëjtën logjike të argumentimin e ka ndjekur edhe Dejona Mihali, kordinatore e komiteteve në LVV, e cila e ka shfaqur vetëm të dhënat për vitin 2023, duke shmangur të dhënat e vitit 2022.
Megjithatë është e vërtetë, sipas të dhënave të barometrit për vitin 2023, që Qeveria Kurti është e para në Ballkanin Perëndimor sa i përket besimit të përgjithshëm nga ana e qytetarëve.
Po ashtu, në krahasim me qeveritë e kaluara (të dhënat në barometër ka deri në vitin 2017), besimi në Qeverinë Kurti këtë vit është më i madh se i të gjitha qeverive të mëparshme.
Siç ka shkruar Nacionale, barometri publik i Ballkanit tregon edhe një të vërtetë tjetër të hidhur. Nga të dhëna del që Kosova kryeson në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për dëshirën e qytetarëve për të ikur nga vendi i tyre.