Vazhdon lufta mes Doganës së Kosovës dhe barnatoreve në Kosovë.
Pas hulumtimit të KIKS Kosovës për shitjen e ilaçeve pa banderolë për sëmundje të ndryshme dhe gjetjeve nga ligjzbatuesit që vërtetuan gjetjet e Kiksit, Dogana e Kosovës ka marrë një aksion të ri në kërkim të barnave pa banderolë.
Pikëndalesa e tyre kësaj radhe ishin barnatoret në qytetin e Ferizajt.
Mesditën e së premtes, njësia antikontrabandë e Doganës nisi aksionin e saj.
Sinjalet që Dogana kishte marrë, rezultuan të sakta, pasi doganierët hasën në një depo të fshehtë, ku mbaheshin barnat pa banderolë të Kosovës, të cilat më pas shiteshin në atë barnatore.
Shumica e tyre vinin me banderola nga vendet fqinje, kryesisht dominonin barnat që vinin kontrabandë nga Serbia.
Gjersa doganierët kryenin punën e tyre, ekipi i KIKS Kosovës mundohet të kuptojë më tepër sa i përket arritjes së mallrave pa banderolë në barnatoret e Kosovës.
Sipas pronarit të një barnatoreje, e vështirë aspak nuk ishte as rruga deri te tregu i zi, prej ku i siguronin këto barna.
Pavarësisht që barnat e konfiskuara vijnë nëpër rrugë joligjore apo atë që njihet si “tregu i zi”, shitblerja e tyre bëhet me fletëpagesa, të cilat u morën nga Dogana si dëshmi për hetimin e mëtejmë.
Rezultati i këtij aksioni që pikësynim kishte identifikimin dhe konfiskimin e barnave që futen në mënyrë joligjore në Kosovë, duke iu shmangur edhe tatimit, u përkthye në konfiskimin e rreth 500 pakove të ndryshme të ilaçeve pa banderolë