Avokati Besnik Berisha do të mbajë nesër një konferencë për media me fillim nga ora 10:30 në “Swiss Diamond Hotel” në Prishtinë si rezultat i zhvillimeve të fundit. Është bërë e ditur se Berisha në konferencë do të paraqitet si individ, e jo si anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Avokati Besnik Berisha ishte arrestuar të enjten e javës së kaluar nën dyshimet për tri vepra penale bashkë me tre persona të tjerë N.Xh., I.S., dhe R.C.
Prokuroria kishte njoftuar se atë ditë, shtëpitë dhe pronat e të dyshuarve janë bastisur me urdhër të Gjykatës në Ferizaj.
Megjithatë, Prokuroria në Ferizaj të nesërmen kërkoi nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve tjerë: Nexhat Xhafa, Ismet Salihu, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refki Cakolli dhe Adonis Salihu.
Por, pavarësisht kësaj, avokati Besnik Berisha është liruar të dielën pasi Gjykata Themelore në Ferizaj e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt për caktimin e masës për paraburgim.
Në aktvendimin e nxjerrë nga Gjykata thuhet se i është caktuar masa “Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personave të caktuar”.
Kurse, ndaj të dyshuarve të tjerë, N.Xh., J.V., F.Z., A.S., dhe R.C., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Ndërsa, ndaj I.S., është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Ata dyshohen për “ushtrim ndikimi”, “pengim i procedurës penale” dhe “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”