Emisari Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, e ka paralajmëruar takimin në mes të kryenegociatorëve të dyja vendeve, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, që pritet të mbahet javën e ardhshme.
Lajçak tha se është duke e përgatitur mbajtjen e këtij takimi.
Ai u shpreh i lumtur se janë bërë hapa konkrete drejt shtensionimit të situatës në veri.
“Nga Dubrovniku udhëtova për në Bratislavë, ku mbajta diskutime të rëndësishme bilaterale me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Biseda jonë u përqendrua në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e datës 3 qershor, dhe punën në drejtim të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut. Më vjen mirë që ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, tha Lajçak.
Emisari i BE-së foli edhe rreth takimit që pati me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi.
Ai tha se janë shkëmbyer mendime dhe u përgatit për takimin e ardhshëm në Bruksel.