Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, po thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e humb betejën në terren me Albin Kurtin, për këtë sipas tij, ai po i kthehet luftës hibride, njofton Gazeta Papirus.
Sveçla, thotë se Vuçiqi, e ka humbur kontrollin në veri, pasi i janë arrestuar siç thotë ai, kriminelët kryesorë.
“Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë”, shkruan Sveçla.
“Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave”.
Sveçla thotë se atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA.
“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit”.