Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sot deputetët e PDK-së janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë.
Ai përmes këtij shkrimi tha se kjo, siç e quajti ai tendencë e Qeverisë, ka dy qëllime.
“Dhuna qeveritare në mbrojtje të Radojçiqit! Sot, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë ballafaquar me një orkestim të pastër nga ana e Qeverisë, që, fatkeqësisht, ishte i bazuar në sulme fizike dhe nxitje të dhunës. Kjo tendencë e Qeverisë, duke i sulmuar në mënyrë të paprecedentë deputetët tanë, përveç dëshirës së tyre për të shtypur opozitën, në prapavijë ka edhe dy qëllime të tjera”.
“E para: Që përmes një skandali tjetër, të mbuloj dhe të tërheqë vëmendjen nga skandali më i madh politik në vendin tonë në të cilin janë përfshirë ata vet – koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. E dyta: Të mbuloj tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij “profesori” që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë”, shkroi ai.
Krasniqi tha se PDK-ja nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e, siç u shpreh ai, koketimit të kësaj Qeverie me, siç shkroi ai, kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht.
“Natyrisht, duke mos e anashkaluar e as harruar këtë sulm të paprecedentë ndaj deputetëve, ne nuk do ta largojmë vëmendjen nga tema kryesore e cila ka vënë në panik këtë Qeveri: bashkëpunimi i fshehtë me Milan Radojçiqin! PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht”.
“Çfarë pazaresh ka bërë kjo Qeveri me Radojçiqin në emër të Kosovës? Çfarë ka dhënë dhe çfarë ka marrë kjo Qeveri nga Radojçiqi? Çfarë dëmi i është bërë Kosovës dhe qytetarëve tanë përmes kësaj marrëveshjeje e bashkëpunimi të fshehtë, duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare të vendit? Këto dhe të gjitha pyetjet tjera do të marrin përgjigje. Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lila, Besnik Bislmi dhe të gjithë të tjerët që janë përfshirë në pazare të turpshme me Milan Radojçiqin, duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve”, tha ai.
Tutje, Krasniqi u shpreh se Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja.
“Një gjë është është e sigurt: Kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin. Mandati duhet t’u kthehet qytetarëve sa më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja që sjellin një Qeveri ndryshe – të përgjegjshme e të besueshme dhe që e rikthen rrugëtimin e vendit në kursin e integrimit euro-atlantik dhe pro-perëndimor”, shkroi tutje Krasniqi.