Lumir Abdixhimu, Kryetar i i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili sot s’ishte pjesëmarrës në seancën e Kuvendit të Kosovës ku pati edhe përleshje fizike, ka reaguar duke e quajtur “shëmti” dhe “episod të errët të histtorisë parlamentare në vend”.
Reagimi i Abdixhikut:
Një episod i errët i historisë parlamantare në vend; në një kohë kritike për Republikën dhe të ardhmen tonë si shtet.
Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri.
LDK e refuzon këtë qasje si mjet. Siç dhe refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit.
Dhe jemi krenarë për këtë.
Duket se rruga e Kosovës është e humbur tashmë. Vendi ynë ka nevojë për një rrugë të re, të tretë. Një që na bën vend normal, zhvillimor e euroatlantik.
Prandaj sot vazhdova këtë rrugë. Në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, zhvillova takimin e tretë konsultativ, këtë herë me profesorë universitarë e me diplomatë. Mes diskutimeve përmbajtësore për udhëkryqin historik të Republikës dhe nevojën e ndërtimit të masës kritike, gjetëm ide e pikëpamje fundamentale për nismën tonë.
Ky vend, ky shtet, kjo shoqëri ka nevojë për zgjim kolektiv, e vendosje të binarëve euroatlantik. Ju ftoj në këtë rrugëtim!