Profesori universitar dhe analisti politik, Milazim Krasniqi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës. Krasniqi ka shkruar në Facebook duke ia kujtuar Vetëvendosjes veprimet e tyre të dikurshme, kur sulmonin Kuvendin e Kosovës me zolla dhe kur hedhnin gazlotsjellës në Kuvend, shkruan Gazeta Papirus.
Poashtu Krasniqi ia ka kujtuar VV-së kohën kur ata përveç këtyre veprimeve kanë sulmuar edhe shtëpinë private të ish-kryeministrit Isa Mustafa e poashtu edhe kur digjnin vetura të zyrtarëve e ish-ministrave të qeverive të kaluara.
Postimi i Krasniqit:
1.Njerëzit e LVV, që e kanë sulmuar ish kryeministrin Isa Mustafa në sallën e Kuvendit, duke e gjuajtur me vezë e pastaj duke ia rrezikuar jetën në rrugë e duke e kërcënuar edhe te oborri i shtëpisë së tij, tash nuk e durojnë as ujin e ftoftë. 2.Njerëzit e LVV që kanë futur eksploziv në sallën e Kuvendit, kur ishin opozitarë, tash duan të rrahin deputetët e opozitës, pse shfaqin një grafik ala Pinokio. 3. Njerëzit e LVV që janë të involvuar në koordinim me Millan Radojqiqin, i cili është i dyshuar për disa krime të rënda dhe në listën e zezë të SHBA-së, nuk duan as t’u përmendet aktiviteti tradhtar me Radojçiqin.
Çka po don tash LVV-qeveria? LVV-qeveria po tenton t’ua mbyll gojën medieve, (fjala vjen Klan Kosovës) opozitës dhe mbarë shoqërisë. LVV-qeveria po koordinohet me Radojçiqin, kundër opozitës, kundër medieve, kundër veteranëve, kundër Kosovës. Por nuk janë votuar për koordinim me Radojçiqin. As për të ushtruar dhunë kundër medies, opozitës e shoqërisë. As për të formuar autonominë politike-territoriale për serbët, gjë që tashmë e kanë formuar, duke e pranuar Planin Franko-gjerman dhe Planin e Zbatimit të Ohrit. Definitivisht LVV-qeveria e ka tradhtuar besimin e shumicës së votuesve të saj. Pas zbulimit të aferës „ZDRAVO“, kjo shumicë parlamentare më nuk ka legjitimitet moral. Pas sulmit të sotëm fizik të zëvendëskryeministrit të qeverisë, Besnik Bislimit, ndaj deputetit të opozitës, Mërgim Lushtakut, kjo qeveri më nuk ka as legjitimitet politik. Ku është parë që qeveria të jetë mbi Kuvendin, përveç në rastet e huntave? Kjo shumicë parlamentare e qeverisëse, është imponuar si forcë politike me mashtrime e me dhunë. Po qeverisë me mashtrime e me dhunë.