Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar të enjten se julumtimi i krimeve të luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë duhet të vazhdojë, pa asnjë dyshim.
Por, ai shtoi se Qeveria Kurti “sot e ka shtruar në agjendë të Kuvendit miratimin e ligjit për Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, i cili synon të hetojë e hulumtojë këto krime, deri me datën 31 dhjetor të vitit 2000”.
Sipas Tahirit, lufta në Kosovë ka përfunduar me 12 qershor, 1999, me largimin e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe nuk ka pasur luftë pas qershorit të 99-tës.
Prandaj, ai thotë se këtu ka një koordinim mes LVV-së dhe Listës Serbe për çështjen në fjalë.
Ai theksoi se LVV-ja po ia përmbush edhe një kërkesë tjetër kriminelit serb, Millan Radojiçiq.
“Kjo qasje kaq antihistorike, antikombëtare e antishtetërore, për ta paraqitur dhe akomoduar interpretimin e Serbisë përmes së cilit ajo i qaset asaj periudhe, është asgjë më shumë sesa një zell i madh e i koordinuar për t’ia përmbushur edhe një kërkesë Milan Radojçiqit”, shtoi ai.
Mes tjerash, ligjvënësi opozitar pati një thirrje për të gjithë deputetët e Kuvendit e Kosovës, që ta refuzojnë këtë që ai e cilëson si “turp të pakëpërdishëm”.
“Ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit që t’i përgjigjen arsyes e vetëdijes dhe ta refuzojnë këtë turp të pa kapërdishëm, antihistorik e antikombëtar”.