Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ka interes që të ketë një pjesë të vendit, veçanërisht veriun, në të cilin të krijojnë trazira dhe kriza.Musliu-Shoshi ka kritikuar veprimet e Kurtit duke i quajtur “metrazha të shkurtë të filmave të tij”.
“Unë mendoj që Albinit i konvenon që të ketë një pjesë të vendit ku gjithmonë krijohen trazira, dhe kjo pjesë e vendit është veriu. Konsideroj që këto janë metrazha të shkurtë të filmave të Albin Kurtit. Sepse çka fitojë Kosova në këta dy muaj, asgjë! Asnjë kërkesë e Kurtit që e ka pasur drejt BE-së dhe kushteve që i ka pasur drejt Serbisë, edhe kushtet që i ka pasur në negociata në dialog, asnjë nuk i është marrë parasysh”, ka deklaruar ajo në RTV Dukagjini.
Ajo ka theksuar se Kurti nuk ka arritur të fitojë diçka konkrete për Kosovën gjatë dy muajve, duke përmendur se asnjë nga kërkesat e tij drejt Bashkimit Evropian apo negociatave me Serbinë nuk është marrë parasysh.Sipas saj, Kurti ngjallë militantët dhe simpatizantët e tij në patriotizëm, por pastaj pranon dhe zbaton ato që ka kundërshtuar më parë.“Krejt këto janë filma të metrazhit të shkurtë, që i bën në vendin tonë, ngjallë një patriotizëm tek militantët dhe pastaj kthehet dhe pranon të gjitha ato që ka thënë se nuk i pranon”, ka thënë deputetja e PDK-së.
“Kurti akuzon se të gjitha qeveritë e kaluara kanë bashkëpunuar me Milan Radojiçiq në të kaluarën. Të gjitha këto bashkëpunime për të cilat Kurti ka fakte, janë organet e drejtësisë që mundet me i dorëzu, nuk është platforma në Kuvend që t’i thotë këto fjalë. Nuk ka nevojë që të flas dhe të akuzojë. Të gjitha akuzat që i ka bërë drejt PDK-së deri sot kanë dalë që janë gënjeshtra dhe janë mashtrime, të cilat i ka përdorur për një tru shpërlarje të elektoratit, që ia ka arritur në fakt”, ka deklaruar tutje ajo.
Ndër të tjera, Musliu-Shoshi, ka nxitur votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të rievaluojnë besimin e tyre ndaj kësaj partie.Sipas saj, nëse një person është votues i LVV-së dhe e ka votuar atë duke besuar në premtimet për mosbashkëpunim me Listën Serbe ose “çetnike” siç ka thënë ajo e ka quajtur Kurti dikur, atëherë duhet të rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj kësaj partie politike.