Veçse është publikuar edhe pjesa e tretë e përgjimeve të Shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lilës dhe deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq.
Videoja e tretë e përgjimeve, dallon nga të parat, për faktin se janë përmendur deputetë tjerë dhe anëtarë të partive, shkruan Gazeta Papirus.
Kusari-Lila, dëgjohet duke biseduar me Simiq për kreun e Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për të cilin thotë se “i ka fryrë listat e veteranëve”.
Lidhur me këtë deklaratë, Gazeta Papirus ka kontaktuar me Kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku i cili deklaroi se Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiq duhet të ndiqen penalisht për faktin se bisedojnë me një kriminel siç është Milan Radojiçiç.
“Nuk është hera e parë që ata thonë se ka pasur fryrje të Listës së Veteranëve, e kanë thënë publikisht së paku që një vit e gjysmë”, tha Klinaku.
Tutje shtoi se: “VV-ja e ka pasur fushatë elektorale për të thënë se ka fryrje të LV-s. Ne si organizatë i kemi dërgu këto lista në Prokurori dhe le të merret Gjykata me to dhe pa u përfundu procesi gjyqësor këta nuk munden me fol për asgjë”.
Redaksia e pyeti kryetarin e OVL së se a ka një dallim për faktin se këtë bisedë Kusari-Lila e ka zhvilluar me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiqin.
“Me deputetin Simiq ka të drejtë me fol, por me Radojçiçin që ndjeket penalisht nga shteti jo, për këtë arsye Prokuroria duhet me i ndjek edhe Simiqin edhe Mimoza Kusarin penalisht se përse mbajnë kontakte me një kriminel që e ndjek shteti”.
Klinaku në prononcimin për Gazetën Papirus i dërgoi një mesazh edhe qytetarëve të Kosovës: “Morali i tyre (Qeverisë) në opinion se këta nuk bashkëpunojnë me Listën Serbe ka rënë dhe se populli e din tash se këta kanë bashkëpunu qysh prej fillimit”, tha ai.
/GazetaPapirus/