Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë gjetur disa mbetje mortore.
Siç thuhet në njoftim, bëhet fjalë për tre persona që sipas ekspertëve mjeko-ligjor, mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë, shkruan Gazeta Papirus.
Gërmimet janë bërë në lokacione të ndryshme në Kosovë. Komisioni për Persona të Zhdukur informon se pas konfirmimit të ADN-së do të dalin me saktësi për rezultatet e këtyre gjetjeve.
Njoftimi i plotë:
Krahas gërmimëve në lokacione të ndryshme në Republikën e Kosovës (si: Prishtinë, Podujevë dhe Kamenicë), sot ekipet tona të IML-së dhe Policisë së Kosovës, kanë vazhduar gërmimet në lokacionin e quajtur ‘Vidimiriq’, Veriu i Kosovës.
Ne kemi hasur në mbetje mortore, të së paku 3 personave, që sipas ekspertave tonë mjekoligjor, mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
Pas ekzaminimit më të hollësishëm, dhe pas konfirmimit të ADN-së, do t’iu njoftojmë me saktësi për rezultatet e këtyre gjetjeve.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar për të trajtuar me seriozitet të lartë, çdo informacion të mundshëm në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
/Gazeta Papirus/