Presidenca ka bërë të ditur se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot shefin e Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.
Presidenca ka bërë të ditur se me Szunyog kanë folur për çështjen e vaksinave Anti Covid.
“Sigurimi i vaksinave është prioriteti kryesor për institucionet e vendit, andaj jemi tejet falënderues për sigurimin e 95 000 vaksinave nga ana e BE-së për qytetarët tanë. Është shumë e rëndësishme të kuptohet me seriozitet dhe të komunikohet qartë gjendja e rëndë me pandeminë në vendin tonë, në mënyrë që kjo të reflektohet në kriteret përcaktuese për ndarjen e vaksinave përmes nismave si kjo e BE-së dhe ajo e COVAX-it”, citohet të ketë thënë Osmani në këtë takim.
Osmani foli për prioritetet programore gjatë mandatit të saj, duke vënë theks të veçantë në politikën e jashtme, fushën e sigurisë, sundimin e ligjit e me ç’rast theksoi se e mbështet plotësisht procesin e vetingut, duke e konsideruar edhe si parakusht për sundimin ligjit dhe demokracisë në vend, shkruhet tutje në komunikatë.
“Në takim, Presidentja Osmani theksoi se pret bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e BE-së dhe përkrahje nga aleatët evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës., duke garantuar përkushtimin e institucioneve në vend për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se edhe BE-ja duhet t`i përmbushë obligimet që dalin nga kjo marrëdhënie kontraktuale. Palët diskutuan edhe për nevojën për reformim të sistemit zgjedhor në vend, përgatitjet për zgjedhjet lokale, teksa u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë drejt avancimit të Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit evropian”, shkruhet në njoftim.