Deklarata e kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, në lidhje me Bashkimin Evropian, që e cilësoi si të paaftë në aspektin e sigurisë, duke e quajtur tigër prej letre, po cilësohet skandaloze. Përveç reagimeve nga ndërkombëtarët, dhjetëra reagime pati edhe nga zyrtarë të partive në opozitë, analistë e gazetarë, raporton GazeTigr prej eltre
ta Sinjali.
Në panelin e drejtuar nga sekretari i Shtetit të Kroacisë, Zdenko Luçiq, Gërvalla drejtoi një sërë kritikash ndaj BE-së, duke thënë se nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.
Ishte nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila e ka quajtur këtë papërgjegjësi.
“Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë.” , ka thënë ajo.
Politologu Agon Maliqi u shpreh se ironia më e madhe vjen nga fakti që kjo kritikë vjen nga një qeveri që vepron si “mace dhe maçokë”, duke pretenduar se ata sillen si tigra në kurriz të NATO-s.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar ndaj deklaratave të Gërvallës, duke thënë se diplomacia e Qeverisë Kurti e ka vendosur edhe njëherë Kosovën në një kurs fyes dhe të përplasjes direkte me perëndimin.
“Diplomacia publike e Qeverisë së Kosovës, sot, edhe njëherë e vendosi Republikën e Kosovës në një kurs fyes dhe të perplasjes direkte me perendimin, me ShBA-në dhe BE-në. Formulimi “Tigër prej Letre” buron nga periudha e luftës së ftohtë, dhe për ironinë e kombinimit të rrethanave politike aksidentale, përdoren nga një ministre e jashtme, e cila po dëmton çdo ditë të gjitha raportet në të gjitha instancat. Që bie Kosova në këtë derexhe, nuk ka besuar askush!!!”.
Kundërpërgjigja e Lajçakut dhe Escobarit
I menjëhershëm ka qenë reagimi i të Dërguarit të Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se BE-ja është unioni më i sukseshëm i shteteve. Po ashtu, sipas tij, BE-ja është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e saj për anëtarësim.
“Gjëja e parë që dua të them është se BE është larg të qenurit perfekt, por është më e mira që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka bashkim tjetër shtetesh në këtë planet qe ka sjellë stabilitet politik, prosperitet ekonomik, kohezion social më të madh dhe respekt për të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE-së” ka thënë Lajçak.
Me deklaratën e siç e quajti ai, koleges nga Kosova, nuk u pajtua as i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobar tha se politika e SHBA-së është konsistente prej viteve 90-ta sa i përket rajonit dhe thotë se shpreson shumë që do të mbetet e njëjtë.
Ai po ashtu u shpreh se gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan është falë bashkëpunimit të BE-së dhe SHBA-së.
“Politikat tona në Ballkan kanë qenë konsistente që nga të ’90 dhe pres që të mbesin kështu. Politika tonë mbështet në dy shtylla: njëra është interesimi evropian dhe, më vjen keq që duhet të dalloj nga kolegia ime kosovare, por gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të BE-së dhe SHBA-së. Dhe kështu integrimi është aspirata më e madhe e rajonit… çdo vend që i është bashkuar BE-së është bërë më demokrat, më i qëndrueshëm dhe më prosperues”, ka thënë Escobar.
Kujtojmë se kjo frazë e cila u përdor nga kryediplomatja kosovare, u popullarizua nga ish-diktatori komunist, Mao Ce Duni, i cili në vitin 1956 e cilësoi imperializmin amerikan si “tigër prej letre”, duke thënë se “imperializmi dhe të gjithë reaksionarët janë tigra prej letre”.