Në kryeqendrën kroate është mbajtur Forumi i Dubrovnikut, ku në një prej paneleve është diskutuar gjerësisht për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Pjesëmarrës në të ishin ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, bashkë me emisarët e dialogut Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar i ShBA-së, Stuart Peach i Britanisë së Madhe dhe Miroslav Lajçaku i BE-së,
E para që mori fjalën ishte kryediplomatja kosovare, e cila hodhi shumë kritika ndaj BE-së.
Por, reagimet ndaj saj pasuan një pas një. I pari ishte Lajçaku, i cili e quajti BE-në si unionin më të mirë të mundshëm, “ndonëse jo i përkryer”.
Në mbrojtje BE-së i doli edhe amerikani Escobar. Ai tha se nuk pajtohet me Gërvallën, sepse, sipas tij, çdo e arritur në gjeneratën e fundit në Ballkan, ka qenë “kombinim i bashkëpunimit Evropë-ShBA”.
“Politika jonë në Ballkan ka mbetur shumë konsistente që nga të ‘90-tat, dhe pres të vazhdojë kështu. Politika jonë bazohet në tri shtylla: e para është integrimi evropian, më vjen keq që s’pajtohem me kolegen time kosovare, por gjithçka pozitive që ka ndodhur Ballkan gjatë gjeneratës së fundit ka qenë kombinim i bashkëpunimit evropian-amerikan, prandaj integrimi është aspirimi ynë më i lartë për rajonin, janë evropianë, janë kulturalisht, financiarisht dhe historikisht evropianë, dhe duhet të jenë pjesë e klubit, dhe kur të bëhen, çdo vend që i është bashkuar BE-së, është bërë më demokratik, më stabil dhe më prosperues”, deklaroi zyrtari amerikan i angazhuar në çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Ai shtoi se dikush edhe mund të thotë se BE-ja ka dështuar, por “unë do të thosha se zgjerimi ka qenë një nga zhvillimet më pozitive të gjeneratës sonë”.
Tjetra, sipas tij, është se “na duhet komponenta e sigurisë, prandaj e shoh angazhimin e NATO-s në rajon si shumë kritik”.
“Ishte kritike për sigurimin e paqes në Bosnje, dhe është ende fundamentale për ruajtjen e paqes brenda vetë Kosovës”, theksoi Escobari.
Shtylla e fundit, tha ai, e të cilën e konsideroi më të rëndësishmen, është integrimi rajonal. Por ai thotë se është dëshpëruar me veprimet e disa liderëve në rajon, të cilët thotë se mendojnë që populizmi, nacionalizmi dhe rivaliteti etnik janë rruga përpara. Këtu ai e kishte fjalën për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën, si shtete jo-anëtare të NATO-s, për dallim nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia që e kanë arritur këtë sukses.
“Kur nisa këtë punë tri vjet më parë, isha shumë optimist se mundësitë fenomenale ekonomike të rajonit do të na ndihmojmë të zgjidhim çështjet politike. Fatkeqësisht vetëm gjysma e kësaj është e vërtetë. Rajoni është bërë rajon dy aksesh: njëri aks janë ata që janë në NATO, që janë më stabilë, që i kontribuojnë stabilitetit rajonal dhe janë fuqishëm në rrugën e integrimit evropian, dhe aksi tjetër janë ata që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e pjesës tjetër të rajonit teksa luftojnë me sfidat e veta. Dallim kyç është se vendet që janë në NATO dhe kanë arritur progresin më të madh janë ato që i kanë tejkaluar sfidat e rivalitetit etnik, dhe ato që vazhdojnë të kenë lidership që beson se populizmi, nacionalizmi dhe rivaliteti etnik është rruga përpara, janë ato që kanë sfidat më të mëdha”.
“Pra, shpresa jonë është që mund që të shfrytëzojmë edhe procesin e zgjerimit evropian dhe dialogun dhe angazhimin e fuqishëm amerikan për t’i ndihmuar ato tri shtete të lëvizin dhe të kthehen në rrugën në të cilën duhet të jenë, e që janë rreshtimi i plotë me BE-në, me komunitetin transatlantik dhe me fqinjët e tyre tjerë, që po punojnë shumë më mirë se ata”, deklaroi Escobari.