Në aspektin e sigurisë, pa ShBA-në dhe NATO-n, Bashkimi Evropian është një “paper tiger” (Tigër Letre).
Kështu ka deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të shtunën në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik” të Forumit të Dubrovnikut.
Ajo ka vlerësuar se Bashkimi Evropian nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë.
“Jemi rreshtuar 100 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët në fqinjësi po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa pasoja nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mundet dhe a është Bashkimi Evropian uniteti dhe unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet! Dhe të njëjtën e tha një analist i njohur gjerman vetëm pak ditë më parë, sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak BE-ja e di këtë, ajo kërkon qetësi në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë dhe paqësimi i fundit i BE-së ndaj aktorëve agresivë në rajonin tonë po ftojnë autokratët të eskalojnë edhe më tej – duke e testuar Perëndimin e ndoshta edhe të shkojnë në luftë, dhe ata vazhdojnë të kërcënojnë shumë herë tani me mbështetjen e plotë të Putinit”, ka thënë ajo,
Në fjalën e saj para të pranishëm, në mesin e të cilëve edhe emisarët e ShBA-së, BE-së dhe të Britanisë së Madhe për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, Miroslav Lajçak e Stuart Peach, Gërvalla ka shtuar se as tani, fuqitë perëndimore evropiane nuk kanë sjellje të re ndaj sigurisë, teksa ka theksuar se Evropa nuk ka asnjë histori suksesi në tentimin për t’i parandaluar luftërat, përfshirë edhe atë të Kosovës më 1999.
“Nuk ka sjellje të re të fuqive perëndimore evropiane, është e ngjashme me atë të viteve 2014, 1939, 1991, 1992, 1999, ku nuk ka asnjë histori suksesi të Evropës në përpjekjet për të parandaluar luftën. Në dy vitet e fundit, mosbesimi dhe skepticizmi ndaj kapaciteteve të diplomacisë së BE-së në vendin tonë ka shpërthyer në 30 pikë të përqindjes. Derisa në vitin 2021, rreth 50% i thanë qeverisë sonë mos bëni kompromise për sa i përket Asociacionit, në mars 2023 ishte 80%. Derisa në vitin 2021 rreth 50% thanë mos bëni kompromise në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në mars 2023 ishte 84%. Kjo është një katastrofë për çdo negociator. Dhe natyrisht se ka alternativa. Na duhet një strategji e re dhe njerëz të rinj për të gjetur rrugë tjera. Ne nuk po provojmë ta shfrytëzojmë BE-në vetëm ‘për ta mjelë’. Më shumë jemi për vlerat evropiane sesa për paratë evropiane. Shpresoj që BE-ja do t’i qëndrojë vlerave të saja, e jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Sepse kjo do të vendosë fatin e konceptit tonë evropian në konkurrencën globale”, deklaroi Gërvalla-Schwarz.
“Paper Tiger” (tigër prej letre), është term që i referohet diçkaje ose dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.