Pas sherrit masiv midis fiseve Rraja dhe Maja për guroren, dhunë e cila u bë publike dhe në media, deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri, Rrahman Raja, e ka lënë mandatin.
Ai u shpreh se nuk kishte fjalë për të shprehur sikletin ndaj atyre që i kishin besuar gjithë këto vite.
Po ashtu, Rraja tha se dështoi si prind dhe ndihet i turpëruar, shkruan Euronews Albania.
“Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time”.
“I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, shtoi ai.
Në bazë të verifikimit në listën e PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mandatin e lënë nga Rrahman Rraja i takon ta marrë Arkend Balla.