Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka takuar sot Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Krasniqi ka thënë se në takim me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, kanë diskutuar për situatën e rëndë në të cilën ndodhet Kosova si dhe për zbehjen e raporteve me aleatët ndërkombëtar.
“Situata e rëndë në të cilën ndodhet Kosova aktualisht dhe zbehja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, si pasojë e krizave të prodhuara nga kryeministri Albin Kurti, janë qëndrimet që ia shpreha sot Ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, të cilin e prita në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, me ç’rast diskutuam për zhvillimet politike në vend”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa ka thënë se ka ripërsëritur pozicionin e PDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Amasadorit Westerlund ia ri-përsërita pozicionin e PDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi situata në Kosovë është jonormale, sidomos pas sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Atë e njoftova edhe për vendimet tjera të marra në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, që janë pezullimi i komunikimit zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani dhe vendimi për të mos votuar në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës për asnjë ligj, rezolutë, marrëveshje ndërkombëtare apo dokument tjetër.
PDK mbetet e përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve të mira me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook