Jashar Maja, personi i cili u dhunua mbrëmjen e djeshme nga anëtarët e fisit Rraja ka sqaruar arsyet e konfliktit. Ai tha se gjithçka lindi nga dëmtimet që shpërthimet në guroren e Rrajës shkaktonin tek banesa e tij dhe familjarëve të tjerë.
Maja shtoi se është ankuar dhe ka denoncuar në polici dëmtimet që i janë bërë në banesë, por nuk është marrë asnjë masë. Ai nënvizoi se denoncimi i tij bëri që pjestarët e fisit Rraja ta rrihnin barbarisht atë dhe djalin e xhaxhait të tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.
Jashar Maja i bëri thirrje shtetit të veprojë dhe nëse nuk do të gjejë zgjidhje do të hakmerret personalisht.
Më herët u publikua edhe një video ku anëtarë të fisit Rraja, shihen duke dhunuar Jasharin dhe kushëririn e tij që ishin të ulur në lokal duke pirë kafe.
“Ne ishim në autostradë në rrugën fushë Krujë, Thumanë, po pinim kafe me kushëririn tim Bilbilin. Kemi thirrur edhe inxhinerin e firmës për kafe. Kemi bërë muhabet për të se si mund të gjejmë një rrugëzgjidhje për minat. Kjo gurore ka dëmtuar shtëpitë. Ka 4-5 muaj që operon në këtë zonë, janë dëmtuar të gjitha shtëpitë këtu, kemi bërë kallëzim në polici 3 apo 4 herë, por nuk janë marrë masa”,-tha Jashar Maja.
I pyetur se cilët ishin personat që e dhunuan ai tha:
“Unë kam njohur Fatmir Rraja, Xhelal Rraja. Ata ishin si fis. Ishin edhe të armatosur. Kur ikën më kërcënuan, më thanë “po je burrë hajde prapë te gurorja”.
Nëse nuk merren masa unë “do të veprojë personalisht me çfarë të mundem Xhelal Rraja ma ka borxh”.
“Nëse shteti nuk bën drejtësi, se ka bërë shumë dëmtime në shtëpinë timë, unë do marr hakun tim. Do i përgjigjem edhe me konflikt. Jam vetë i pesti vëlla, fisi im përbëhet nga 40-60 meshkuj. Nuk ja falë fisit Rraja, do vdes “të dalë fare” nga më i madhi deri te 5 vjeç, nuk ja fal sa të jem gjallë. Se më ka prish shtëpinë e s’i kisha borxh”,-tha Jashar Maja për Euronews Albania