Kreu i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkovic doli së fundi me pretendimin se policia e Kosovës ka hyrë “500 metra përtej vijës administrative” në territorin e Serbisë.
Ai tha se kishte edhe prova për këtë, duke paraqitur një video të publikuar nga media serbe Tanjug. “Një zyrtar policor nga Bujanovici, ka vënë re në kufi një automjet të Policisë së Kosovës në drejtim të Karaçevës që po shpejtonte”, u shpreh ai.
Petkovic nënvizoi se këto regjistrime do t’ua dërgojë edhe ndërkombëtareve, për t`u treguar kështu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkelur marrëveshjen.“Do t’ua nisim të gjithë filmimet që ta shohin se këtu vetëm Kurti i shkel të gjitha marrëveshjet. Kjo video tregon se ata kanë hyrë me automjet policor. Tregon nivelin e gënjeshtrave dhe propagandës. Alicia Kearns, e cila akuzon Kishën Ortodokse Serbe, duhet ta shoh gjithashtu këtë video, të vërtetën e vetme që është se njerëzit e Kurtit janë të armatosurit”, u shpreh ai.
Petkovic e akuzoi Kurtin dhe Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçlën, për “shkelje brutale të Rezolutës 12/44 dhe Marrëveshjes së Kumanovës”. Deputetja britanike Kearns ngriti pak ditë më parë shqetësimet për shpërndarje armësh nga autoambulanca me targa serbe në veri të Kosovës dhe magazinimin e tyre në kishat ortodokse.