Muaji i Ramazanit ul vaksinimet kundër koronavirusit në Shqipëri. Silva Bino pohon se në këtë periudhë agjërimi, besimtarët po refuzojnë marrjen e dozave anti-covid.
Gjate një studimi të prezantuar pranë Akademisë së Shkencave, Silva Bino deklaroi se 60% e shqiptarëve e pranojnë vaksinimin kundër koronavirusit.
Aktualisht 11% e popullsisë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa 20 mijë persona, kryesisht mjekë dhe infermierë i kanë marrë të dyja dozat.
Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit nuk përjashtoi problemet e shfaqura pas vaksinimit, si me Pfizer ashtu dhe me llojet e tjera. Edhe pse nuk dha shifra të incidenteve të ndodhura në vend, këto po verifikohen nga një grup specialistësh.
Deri tani janë administruar mbi 350 mijë doza vaksinë anti-covid. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik po kryen studim mbi efektivitetin e vaksinës tek personeli mjekësor në 5 spitale jo covid në Tiranë dhe rrethe. Nga të dhënat e deritanishme nuk rezultojnë mjekë dhe infermierë të infektuar pas dozës së dyte të Pfizer.