Policia e Kosovës e ka arrestuar farmacisten C.Y., e cila është edhe pronarja e një barnatoreje në Prizren, pasi s’ka ofruar dëshmi për origjinën e një sasie të barnave.
Sipas policisë, barnat medicinale të cilat ishin pa dëshmi për origjinën janë sekuestruar nga Inspektorati Framaceutik.
Postimi i plotë:
Ndaj një femre kosovare, iniciohen rastet ‘kontrabandim me mallra’, ‘tregti e ndaluar’ dhe ‘shmangie nga tatimi’
Prishtinë, më 5 korrik 2023
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pasi kanë pranuar një informatë se një barnatore në Prizren posedon barna pa banderola, informatën kanë filluar ta trajtojë në aspektin policor.
Bazuar në këto informata, janë kryer veprime hetimore, kurse sot, më 05.07.2023, së bashku me Inspektoratin Farmaceutik është kryer edhe inspektimi në ketë barnatore. Gjatë inspektimit farmacistja C.Y. (viti i lindjes 1991, femër kosovare), e cila njëkohësisht është edhe pronare e barnatores, nuk ka ofruar dëshmi për origjinën e një sasise të konsiderueshme të barnave, të cilat barna medicinale janë sekuestruar nga Inspektorati Farmaceutik.
Sasia e barnave medicinale të sekuestruara është gjithsejte 280 paketime të barnave të ndryshme medicinale, me origjinë nga Serbia, Shqipëria dhe Turqia, në vlerë prej 3200 (tre mijë e dyqind) euro.
Me rekomandim të prokurorit kompetent, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.