Kina ia ka anuluar vizitën shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha një zëdhënëse e bllokut evropian.Borrell ishte planifikuar që ta vizitonte Kinën javën e ardhshme.
Nuk është treguar arsyeja e anulimit të vizitës, që vjen në kohën kur Evropa po synon që të ulë rreziqet e krijuara nga raporti i ngushtë ekonomik me Kinën, që Brukseli e cilëson si “konkurrente ekonomike dhe rivale sistematike”.“Fatkeqësisht, jemi informuar nga homologët kinezë se datat e parashikuara për javën e ardhshme nuk janë të mundshme dhe tani ne duhet të shikojmë alternativa”, tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali në një përgjigje dërguar Reutersit.Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze nuk ka treguar se pse është anuluar vizita e Borrellit, por nuk e përjashtoi mundësinë që shefi i diplomacisë së bllokut evropian të vizitonte shtetin në të ardhmen.
“Ne e mirëpresim përfaqësuesin e lartë Borrell në vizitën në Kinë në momentin më të përshtatshëm për të dyja palët”, tha zëdhënësi Wang Wenbin për gazetarët në Pekin.Borrell kishte planifikuar që të takohej me homologun e tij kinez për të diskutuar për “çështje strategjike”, përfshirë të drejtat e njeriut dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës.Kjo është hera e dytë që Borrellit i anulohet vizita në Kinë. Në prill ai nuk mundi të shkojë në Pekin pasi rezultoi pozitiv me koronavirus.